Presidenti amerikan Obama ka deklaruar se dalja e Britanisë nga BE-ja ka përcjellë pasiguri në kontinentin e vjetër, por theksoi se Shtetet e Bashkuara vijojn të jenë mbështetës të projektit europian.
Duke folur nga Samiti i NATO-s që po zhvillohet në Varshavë, ai kërkoi që palët të negociojnë në mënyrë jo-kontradiktore pasi sipas tij, kjo nuk është në interes të askujt. Ai shtoi se pret që palët të bashkëpunojnë edhe pas daljes së Britanisë.
Në fjalën e mbajtur në samitin e NATO-s që po zhvillohet në Varshavë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, e vuri theksin tek situata në kontinentin e vjetër duke deklaruar se dalja e Britanisë nga BE-ja ka përcjellë pasiguri për të ardhmen e bllokut. Lideri i Washingtonit deklaroi se SHBA vijon të mbetet një mbështetës i projektit europian, teksa përmes gjuhës diplomatike kërkoi negociata jo-konfliktuale në diskutimet për largimin përfundimtar të Britanisë nga unioni.
“Jam shumë i sigurt se Mbretëria e Bashkuar dhe BE-ja do të punojnë së bashku në një mënyrë të rregullt dhe të patrazuar. Askush nuk ka interes që këto negociata të jenë të gjata dhe kontradiktore. Të gjithë kërkojnë minimizim të dëmeve si dhe krijimin e një marëdhënieje të re BE-Britani”
Në të njëjtën linjë qëndroi edhe Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, i cili theksoi se gjatë samitit dy ditor të Varshavës do të diskutohet në lidhje me çështje të ndryshme si siguria, kriza e Ukrainës, prezenca ushtarake në Europën Lindore, energjitika, etj. Ndërkohë, Presidenti i Komisionit Juncker, komunikoi edhe njëherë se BE-ja nuk ka ndërmend të zhvillojë bisedime informale me Britaninë dhe se dialogu për daljen mund të nisë vetëm me aktivizimin e nenit 50 të traktatit të Lisbonës. Ai shtoi se Bashkimi Europian shpreson që t’a ketë Britaninë një partner edhe në të ardhmen si dhe një aleat të fuqishëm brenda NATO-s.
Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg, mbajti edhe ai fjalim ku shprehu prioritetet e samitit të Varshavës. Stoltenberg deklaroi se NATO do të shtojë prezencën ushtarake në Europën Lindore, por nënvizoi se do të ketë sërish përpjekje për të vendosur paqe me Rusinë.