Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqiperisë ka reaguar sot me një deklaratë ndaj Greqisë lidhur me incidentin në bashkinë e Himarës.
Në deklaratën e saj thuhet se “ MPJ shpreh keqardhjen që Greqia fqinje kërkon të instrumentalizojë aktet e padenja të kryera dje nga disa individë në Himarë, duke synuar të përfshijë në to çështje të respektimit të të drejtave të minoritet grek në Shqipëri. Ky rast po trajtohet nga organet kompetente shqiptare. Në këtë kontekst, reagimi i Ministrisë së Jashtme të Greqise përbën ndërhyrje të përsëritur në punët e brendshme të shtetit shqiptar dhe bie ndesh me angazhimin e Greqisë për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë. Është e papranueshme që, apriori dhe çdo herë, të nxiten dhe legjitimohen pretendime paternaliste mbi Himarën. Si historia ashtu dhe e tashmja dëshmojnë qartazi se nuk ekziston kurrëfarë baze për të reklamuar Himarën si hapësirë minoritare. Përpjekjet e vazhdueshme për të instrumentalizuar çdo pakënaqësi individuale ose kolektive, synojnë shtrëmbërimin e realitetit të bashkejetesës së shkëlqyer midis popullsisë shqiptare dhe minoritetit grek, i cili gëzon të drejta të plota, në baze të legjislacionit vendas, si dhe normave dhe konventave ndërkombetare.”
Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme gjat mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Himarës ku degjeneroi në dhunë, në kohën kur po diskutohej për regjistrimin e pronave të banorëve. Këta të fundit kanë qenë prezent në mbledhje dhe gjatë diskutimeve ka patur përleshje fizike. Siç raportohet, disa persona kanë hyrë në sallën ku zhvillohej mbledhja e Këshillit Bashkiak dhe kanë goditur banorët.
Njëri prej tyre u gjakos gjatë përleshjeve, ndërkohë që kryetari i Bashkisë së Himarës Jorgo Goro ndërhyri për të qetësuar banorët.”
Pas incidentit, reagoi PBDNJ-ja si dhe Ministria e Jashtme e Greqisë.
“Dënojmë dhunën në Këshillin Bashkiak të Himarës. I bëjmë thirrje qeverisë shqiptare që të përmbushë detyrimet e saj”, thuhet ndër të tjerash në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Greqisë.
Mbledhja e sotme e këshillit bashkiak të Himarës është shoqëruar me përplasje dhe episode dhune që kanë ndodhur në derën e këshillit. Kjo shkaktoi dhe ndërprerjen e mbledhjes.