George Soros ka paralajmëruar se rezultati i referendumit britanik për të dalë nga Bashkimi Europian e bën tashmë shpërbërjen e bllokut “praktikisht të pakthyeshme”. Gjithashtu, ai ka bërë thirrje për ristrukturim të thellë të BE-së, në përpjekje për ta shpëtuar këtë bashkësi shtetesh.
Përpara referendumit të së enjtes në Britaninë e Madhe, Soros kishte paralajmëruar një situatë të vështirë financiare nëse ishulli do të votonte pro largimit nga BE-ja. Ndërsa në komentet e tij të fundit, ai thotë se efektet e këtij vendimi do të dëmtojnë më shumë Britaninë.
“Britania aktualisht mund të jetë ose jo relativisht më e mirë sesa vendet e tjera pas largimit nga BE-ja, por ekonomia e saj dhe populli i saj pritet të vuajnë në mënyrë të konsiderueshme në periudha afatshkurtra dhe afatmesme”, shkroi ai në faqen e internetit të “Project Syndicate”.
“Tashmë skenari katastrofik të cilit i druheshin të gjithë është materializuar, duke e bërë shpërbërjen e Bashkimit Europian praktikisht të paevitueshëm. Tregjet financiare anembanë botës pritet të mbeten të pasigurta për aq kohë sa do të zgjasë procesi i komplikuar i divorcit politik dhe ekonomik të Britanisë nga BE-ja. Pas ‘Brexit’-it, të gjithë ne që besojmë në vlerat dhe parimet mbi të cilat është ngritur BE-ja, duhet të bashkohemi dhe të shpëtojmë atë përmes ristrukturimit të thellë të tij”, shkroi Soros.