Kryedemokrati, Lulzim Basha ka hapur ditën e sotme fushatën e kandidatit për bashkinë e Rrogozhinës, Ferdinand Saraçi. Në fjalën e tij përpara simpatizantëve, Basha u shpreh se PD edhe pse ndodhet në një moment kritik, përfaqëson shumicën dërrmuese të shqiptarëve.
“Ata që kanë filluar të paraqiten para dyerve të SPAK-ut janë prova më e mirë që reflekton të gjitha shpifjet, të gjitha shigjetat që janë drejtuar drejt Partisë Demokratike, drejt jush, drejt meje, ndaj kryetares së komisionit, ndaj anëtarëve të partisë Demokratike në komision. Do t’i intensifikojnë sulmet, e keni parë. Sa më shumë iu afrohet nxehtësia e drejtësisë, sa më shumë iu dëgjohen tringëllima e prangave, aq më shumë kanë filluar të flasin për brava” – tha Basha.
Basha u shpreh se dy ministra shkuan prapa bravave të 313-ës dhe radhën e kanë të tjerë.
Gjuha shkon ku dhëmb dhëmbi. Dy ministra i ka prapa bravave te 313. Të tjerë e kanë radhën. Ky është nga ata që i bën kurban se kujton se do të shpëtojë vetë. Por nga e vërteta nuk shpëton dot, munda ta vonosh, mund ta shtrembërosh, edhe me ndihmën e patericave që kanë vënë hallet e tyre personale mbi interesat e shqiptarëve, mbi interesat e demokratëve, por nuk e vonon dot. Aq sa nuk e vonon dot të vërtetë, aq nuk e ndalon dot Partinë Demokratike në misionin që kemi marrë përpara shqiptareve. Misioni jonë është i qartë, jemi në një periudhë të reflektimit të dhimbshëm, gjërat duhet t’i themi ashtu siç janë. Por ja ku jemi sot të mbledhur në një sallë për t’i treguar Rrogozhinës dhe Shqipërisë se asgjë nuk na ndal. Dhe atëherë kur kujtojnë se të gjithë bashkë mund të na ulin kokën, vetëm më të fortë jemi, vetëm më të vendosur jemi, se ne e dimë që përfaqësojmë shumicën dërrmuese, të heshtur, kokulur, të vjedhur të shqiptarëve. Jemi të gatshëm t’i dalim atyre zot”, tha Basha.