Partizani është ekipi i fundit gjysmëfinalist i Kupës së Shqipërisë. Në “Air Albania”, u luajt derbi i kthimit mes të kuqve dhe Dinamos, një ndeshje me plot emocione dhe raste por në fund më të mirën mori ekipi i Mehmetit. Partizani e nisi më mirë sfidën me disa sulme të rrezikshme me Malën dhe Carën por pa arritur te goli teksa përgjigja e Dinamos vjen vetëm në 33’ me një gjuajtje të pasaktë të Denisson. Kur po mbyllej pjesa e parë, të kuqtë gjejnë dhe golin e avantazhit me Skukën i cili mes 4 kundërshtarëve arrin të depërtojë në zone dhe të mposhtë Harizaj.
Fraksioni i dytë është më intensiv me të dyja ekipet që duan golin teksa në 54’, Ibraimi me një goditje dënimi rrezikon të shënojë një eurogol. Është pikërisht kapiteni dinamovit që është lojtari më i rrezikshëm dhe në dy tentative të tjera është i pafat për të barazuar shifrat.
Partizani në 85’ ka mundësinë për të mbyllur ndeshjen me Milosavjlev i cili merr një top të kthyer keq nga Dinamo dhe pothuajse me portierin Harizaj jashtë porte nuk e gjuan topin. Gjithsesi minutat e fundit janë emocionuese por Partizani mbrohet mirë dhe në fund merr një kualifikim të merituar në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë.