Nga Albinot Maloku
Republika e Kosovës e shpalli pavarësinë e saj, mirëpo përmes politikave ekonomike jo të mira, sikur po futet në një varësi me pak shpresa për dalje të shpejt nga borxhet ndërkombëtare. Huat e marra nga kreditorët e jashtëm ose institucionet financiare ndërkombëtare për përdorim të financimit të projekteve, siç janë ndërtimi i rrugëve, hekurudhave, hidro apo termocentraleve energjetike pa e menduar më parë rrezikun e të mbeturit “i varur përgjithmonë” nga huat, nuk do të ishte rekomandim i mirë për Republikën e pavarur të Kosovës.
Shpenzimi i tepërt i huave nga kreditorët e jashtëm ose institucionet financiare ndërkombëtare sesa mundësia e kryerjes së pagesës nga ana e Kosovës është politikë e gabuar në suaza afatgjata. Nuk është se Kosova nuk ka pasur përvojë në marrjen e borxheve të jashtme, mirëpo ajo marrjet e borxhit i ka balancuar me mundësitë e burimeve të saj për t’i paguar huat e jashtme. Gjithsesi, pas mëvetësimit të saj dhe krijimit të ligjeve për borxhet, Kosova i ka marrë përsipër t’i paguajë edhe borxhet e mbetura nga e kaluara si njësi federative e ish-Jugosllavisë. Kjo marrje e obligimit e prezanton vendin si serioz në marrëdhëniet ndërkombëtare, pavarësisht se me suksedimin e pasurisë së ish-Jugosllavisë, pas ndarjes, Kosova nuk ka marrë ende asgjë.
Problemi i lidhur me suksedimin nuk është parashtruar ende nga ana e Kosovës me Serbinë dhe ende nuk dihet se kur do të fillojë, e që do të jetë temë e nxehtë. Nga obligimet e mbetura në vitin 2009, Kosova mori pjesën e saj të borxhit të ish-Jugosllavisë ndaj Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, në shumën prej 381 milionë euro, ose në përqindje 9.7% të BPV, kurse pas hapjes së çështjes së suksedimit dhe përmbylljes së saj me Serbinë, atëherë mund të trashëgojë edhe borxhin shtesë ndaj Klubit të Parisit dhe të Londrës.
Republika e Kosovës, varësinë ekonomike e financiare nga kreditorët e jashtëm ose institucionet financiare ndërkombëtare, pavarësisht nevojës së madhe që ka sot, duhet ta konsumojë me kujdes. Mendimi im për këtë rekomandim të një kujdesi maksimal të shtetit tonë, për kreditë dhe huat e jashtme mbështetet tek koncepti klasik që kam për huat, të cilat i konsideroj potencialisht të rrezikshme dhe ngujuesit kryesorë të pavarësisë politike e shtetërore të vendit.
Të dhënat zyrtare për borxhet e jashtme të Kosovës nuk japin shifra shqetësuese, por që me vazhdimin e marrjes së kredive këto shifra do të jenë ngujueset më të mëdha të pavarësisë së saj. Është interesant fakti se Kosova, para shpalljes së pavarësisë, për një kohë ka ndjekur politika fiskale shumë konservative, duke shtuar kujdesin në shpenzimet e veta, ndërsa të hyrat pësonin rritje. Kalimi nga politika fiskale konservative e që kanë shkuar paralele me mundësitë për t’i mbuluar nevojat e veta, Kosova ka kaluar në politika ekspansioniste të shpenzimeve. Arsyeja e këtyre shpenzimeve kryesisht është mbështetur tek nevojat e vendit, mirëpo ato nevoja kanë mundur dhe mundet të realizohen më me kujdes, ngase nuk ishin kontribuuesit direkt të zhvillimit ekonomik.
Qeveria, këtë ekspansion të shpenzimeve, ka menduar ta mbulojë përmes kursimeve të grumbulluara, huamarrjeve dhe përmes shitjes së pasurisë me procesin e privatizimit, si dhe nga përkrahja e donatorëve. Faktikisht, asnjëra nga këto zgjidhje nuk është premtuese për pavarësi ekonomike të vendit.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave e Republikës së Kosovës, gjatë vitit 2015 borxhi ndërkombëtar i Kosovës shënon shumën prej 371.17 milionë Euro, apo 6.35% e Bruto Produktit Bruto Vendor. Borxhet u përkasin këtyre institucioneve ndërkombëtare: Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Agjencisë Gjermane për Rindërtim dhe Bankës UniCredit në Austri. Gjatë po të njëjtit vit, nga shteti iu paguan këtyre borxhlinjve 39.38 milionë euro, që paraqet 2.57% të të hyrave të buxhetit. Sipas ekspertit të ekonomisë, Ibrahim Rexhepi ky borxh nuk paraqet ndonjë rrezik të madh dhe, pavarësisht që kreditë janë një prej mundësive të financimit e zhvillimit, gjithmonë duhet llogaritur si do të kthehet ky borxh. Rexhepi thotë se, është dështim i plotë nëse Qeveria e Kosovës hyn në kredi që nuk reflektojnë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Deri më tani investimet më të mëdha janë bërë me financim nga buxheti, sidomos në infrastrukturë e që fatkeqësisht nuk ka ndikuar në zhvillim. Prandaj, rekomandon ai, në të ardhmen qeveria duhet të jetë e kujdesshme ku po i merr paratë, me çfarë kushtesh, ku do t’i investojë dhe si do t’i kthejë ato.
Politikat ekspansionale të shpenzimeve që po realizohen nga qeveria janë shqetësuese edhe për deputetin e Kuvendit të Kosovës, njëherazi anëtar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Pal Lekaj. Ai thotë se, qeveria aktuale po ndërmerr masa për të hyrë në obligime të reja, duke marrë kredi për hekurudha e autostrada. Shqetësuese sipas tij, është se fondet publike po e përkeqësojnë strukturën e shpenzimeve, duke i zvogëluar kategoritë e investimeve kapitale, duke e rritur përqindjen e pagave dhe transfertave sociale, e në anën tjetër qeveria hyn në borxhe të reja, për gjoja projekte kapitale.
Vlen të theksohet se Ligji i Borxhit i Kosovës vendos norma maksimale dhe më kryesorja, Kushtetuta kërkon që huamarrja e jashtme nga qeveria të kërkojë ratifikimin nga ana e Kuvendit të Kosovës me një shumicë prej dy të tretave. Këto mekanizma frenues të hyrjes së vendit në kredi e hua të jashtme duhen shfrytëzuar maksimalisht, për ta ruajtur sadopak pavarësinë edhe ekonomike të Republikës së Kosovës, përveç asaj politike. Veç kësaj, Kosova për të ruajtur pavarësinë ekonomike dhe kreditë e marra të kenë mbështetjeje që ato të kthehen e mos të bëhen barrë e buxhetit të vendit, do të duhej që ajo të ketë politika fiskale të arsyeshme dhe jo të shpresojë në marrjen e kredive të reja për të “hekurosur” deficitet buxhetore. Meqë euro përdoret si valutë vendore, Kosova duhet të mbështetet në politikat fiskale, si stabilizuese kryesore makroekonomike.
Megjithatë, pozita fiskale e Kosovës është tensionuar, sepse shpenzimet janë rritur me shpejtësi që nga viti 2008. Kursimet nga tepricat fiskale të akumuluara deri në vitin 2007, që pasqyronin politikat konservatore të shpenzimeve dhe realizimin më të lartë të të hyrave, filluan të bien në vitin 2008. dhe deficiti fiskal u zgjerua në vitet pasuese.
Megjithë borxhin e ulët të jashtëm dhe publik, qëndrueshmëria e borxhit në Kosovë mund të rrezikohet nga përkeqësimi i deficiteve fiskale ose ngadalësimi i rritjes. Ajo që konsiderohet sfidë qendrore e zhvillimit ekonomik të Kosovës (sipas: Bankës Botërore) lidhet me një të rrugë zhvillimi ekonomik që:
1) krijon vende pune të cilësisë së lartë;
2) përdor resurset kryesore natyrore në mënyrë të qëndrueshme.
Faktor i rëndësishëm që fuqishëm ka kontribuar në ngecje të zhvillimit ekonomik, rritjen e varfërisë dhe në rritjen e varësisë ekonomike për qytetarët dhe shtetin e Kosovës nga huatë e jashtme, është edhe papunësia e përhapur dhe mungesa e vendeve cilësore të punës, pasiguria e të ardhurave, jo-stabiliteti social, dhe më kryesorja tensionet politike. Me një normë papunësie prej 45% dhe një normë të ulët punësimi, Kosova ka regjistrin më të dobët të punësimit në Europë.
Në Kosovë nuk mund të ndodhë skenari i “krizës greke” dhe kjo sepse Kosova nuk është as pjesë e BE-së e as e zonës së euros, mirëpo, kjo nuk duhet ta inkurajojë qeverinë aktuale për mundësitë e krizave ekonomike që do të prodhojnë tensione të natyrave të ndryshme e me pasoja për vendin. Padyshim që vendi ka një progres, i cili është bërë me të vendosur kornizën ligjore bazë dhe strukturat institucionale të nevojshme për një ekonomi të orientuar kah tregu, mirëpo, pa forcimin e menaxhimit të financave publike, prokurimit dhe luftës kundër korrupsionit nuk do të mund të shpresohet në zhvillim të mirëfilltë ekonomik të prekshëm nga ana e qytetarëve, por edhe e shtetit.
Ndaj kreditorëve të jashtëm dhe institucioneve financiare Republika e Kosovës duhet të tregojë kujdes, sidomos kur synimi i tyre është vazhdimi i dhënies së huave për ta mbajtur në borxh të vazhdueshëm atë. Kjo mund të bëhet duke iu shmangur kurtheve të mundshme, e duke u koncentruar më shumë tek ofrimi i kushteve maksimalisht të mira investitorëve që duan të investojnë në Kosovë, duke hapur vende të punës, dhe orientimi nga partneriteti publik-privat. Pa një zhvillim ekonomik brenda kushteve e mundësive që vetë mund t’i ketë Kosova, nuk duhet të mendohet se kreditë dhe huat mund ta çlirojnë Kosovën nga varësia ekonomike e kreditorëve të jashtëm ose institucioneve financiare ndërkombëtare.
Ekonomisti David Hume me të drejtë thotë: “Ose populli (shteti) do t’i zhdukë borxhet, ose borxhet do ta zhdukin popullin (shtetin)”. Atëherë më mirë është që shteti t’i zhdukë borxhet, sesa e kundërta.