Pas lajmit se Helidon Buashti hoqi dorë nga posti i drejtuesit politik të PD në Shkodër, dhe në vend të tij u emërua Enkelejd Alibeaj, të tjera të reja vijnë nga selia blu.
Mësohet se, Roland Bejko është emëruar drejtues politik i PD në Gjirokastër, post që më parë e mbante Tritan Shehu, ky i fundit është një ndër mbështetësit më të flaktë të ish-kryeministrit Berisha.
“Në mbështetje të nenit 33 të Statutit të Partisë, ju informoj se Kryetari i Partisë ka caktuar si Drejtues Politik të qarkut Gjirokastër, anëtarin e Kryesisë së PDSH z. Roland Bejko. Në këtë mënyrë z. Bejko do të jetë edhe Kryetar i Këshillit Koordinues të Qarkut, që është struktura e përhershme me përgjegjësi në organizimin elektoral dhe aksionet e veprimtaritë politike të PDSH në nivel qarku”, njofton PD.
Aktualisht Roland Bejko mban postin e sekretarit për Decentralizimin dhe Pushtetin Vendor në PD, ndërsa këto ndryshime vijnë rreth një muaj para zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 marsit.