Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoni të Veriut, Gjergj Dedaj, është denoncuar te organet e rendit pas deklaratës që ka dhënë dje në emisionin “Frontal” në T7 për presidenten Vjosa Osmani. Këshilltari i Osmanit, Bekim Kupina, ka konfirmuar se Dedaj është denoncuar për kërcënim publik kundër jetës dhe sigurisë ndaj presidentes Osmani dhe familjes së saj.
Policia e Kosovës po e trajton rastin e kërcënimit të Dedajt ndaj Presidentes, të cilin e ka denoncuar ajo. Policia nuk ka konfirmuar akoma nëse Dedaj është shoqëruar në stacionin policor për intervistim.
“Siç kemi paralajmëruar z.Gjergj Dedaj është denoncuar te organet e rendit për kërcënim publik kundër jetës dhe sigurisë ndaj Presidentes Osmani dhe familjes së saj”, ka konfirmuar në një përgjigje për T7 Bekim Kupina, këshilltar për mediat i Presidentes Osmani.
Gjergj Dedaj ka thënë se ndihet i rrezikuar nga siç e ka quajtur ai “Klani i Osmani” ku ka përmendur presidenten Vjosa Osmani dhe bashkëshortin e saj, Prindonin. Dedaj në Frontal të T7 tha se është njeri i ligjit, por theksoi se përveç ligjit, te ai dhe familja e tij që vjen nga Malësia e Gjakovës, vepron edhe Kanuni i Lekë Dukagjinit.
Pas deklaratës së tij, ka reaguar këshilltari i Presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina, sipas tij Dedaj ka kërcënuar Presidenten dhe familjen e saj me ato deklarata.