Punonjësit dhe doganierët në Pikën Kufitare të Hanit të Hotit janë vënë nën hetim pas sekuestrimit të 400 kg drogë, të kapur një ditë më parë në Mal të Zi.
Një grup i posaçëm hetimor është duke verifikuar veprimet e tyre. Autoritetet e të dyja vendeve janë duke bashkëpunuar për të identifikuar trafikantët.
Deri më tani, policia ka të ndaluar vetëm shoferin e kamionit. Burime pranë policisë bëjnë me dije se shoferi 38 vjeçar ka deklaruar se nuk kishte informacion se çfarë kishte në brendësi të kamionit.
Megjithatë, hetuesit dyshojnë se ai është bashkëpunëtor në trafik për shkak se nuk ka deklaruar të plotë itinerarin e ndjekur nga vendi ynë deri në kalimin në Mal të Zi, në pikën kufitare Bozhaj, aty ku u gjetën edhe pakot me kanabis. Policia është duke hetuar vendet dhe lëvizjet që ka kryer kamioni, si dhe pronarët e drogës.