Shkëlqim Hajdari, Prokurori i Prokurorisë së Shkodrës dhe njëkohësisht Kryetar i Shoqatës së Prokurorëve, i ka paraqitur dorëheqjen presidentit të Republikës Bujar Nishani, pesë ditë më parë. Ai është shprehur se vendimin e ka marrë për shkak të pengesave në ushtrimin e detyrës.
Adriatik Llalla, prokurori i përgjithshëm, , e transferoi dhjetorin e kaluar nga drejtues i prokurorisë së apelit në prokuror të thjeshtë në Shkodër. Ky vendim për Zt. Hajdari ka qenë i papranueshëm referuar punës së tij profesionale për afro dy dekada,.
Sipas tij, disa elementë në institucionin e prokurorisë po kontrollohen nga krimi i organizuar dhe nga korrupsioni dhe përdoren nga politika.
“Dorëheqja ime nuk është një akt dorëzimi, përkundrazi, është një akt i përgjegjshëm sensibilizimi dhe motivimi të prokurorëve të ndershëm, të cilët në sistemin e prokurisë janë në maxhorancë. Për fat të keq, prokurorët nuk munden dot të artikulohen dhe të gjejnë forca për të ndaluar këta individë, të cilët nëpërmjet shkeljes së hapur të ligjit, përdorimit politik dhe kriminal të tyre e kanë katandisur organin e akuzës në një organ, i cili vetëm zbatimin e ligjit nuk bën më”, është shprehur Zt. Hajdari.
“Unë jam në komunikim të vazhdueshëm me shumë kolegë prokurorë të ndershëm. Ne dimë gjithçka për çdo koleg prokuror. Ne dimë se kush janë përgjegjës, individë konkretë, të cilët me aktet e tyre të paligjshme e kanë shkatërruar organin e prokurorisë. Këshilli aktual i prokurorisë, një organ i cili duhej të mbronte trupën e prokurorëve nga paligjshmëritë që i vijnë nga prokurori i përgjithshëm e më gjerë, është kthyer në një vegël qorre, që shkel ligjin në mënyrë të vazhdueshme dhe është bërë një mashë, që ka shkatërruar kolegë të ndershëm, të cilët kanë punuar me ndershmëri, përkushtim, nuk kanë pranuar kurrë të përdoren politikisht gjatë karrierës së tyre”, ka vazhduar më tej ai.
Presidenti Nishani dhjetorin e kaluar, dekretoi transferimin e drejtuesit të prokurorisë së apelit si prokuror i thjeshtë në Shkodër. Ai e ankimoi transferimin si të paligjshëm. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë e rrëzoi ankesën e tij. Prokuroria e përgjithshme ka deklaruar se transferimet e prokurorëve janë bërë në kuadër të ristrukturimit të institucionit dhe sektorëve të ndryshëm të tij.