Partia Demokratike i është përgjigjur Presidentit të Republikës Ilir Meta, nëpërmjet një deklarate. PD thotë se presidenti dhe njerëzit e tij duhet të qëndrojnë larg selisë sepse ka mbaruar koha kur Meta përdorte PD si mburojë.
Gjithashtu thuhet se ndërhyrja e Presidentit të Republikës në PD, njësoj si ajo e kryeministrit Edi Rama, tregon se Trekëndëshi Berisha-Rama-Meta e bashkon një hall i madh, por që nuk është as halli i Partisë Demokratike dhe as halli i qytetarëve shqiptarë.
“Ilir Meta dhe njerëzit e tij duhet të qëndrojnë larg selisë së Partisë Demokratike. Koha kur PD përdorej si mburojë nga Ilir Meta ka përfunduar në 9 Shtator, kur PD u distancua nga Sali Berisha. Ndërhyrja e Presidentit të Republikës, njëlloj si Edi Rama, në një debat të brendshëm në Partinë Demokratike, tregon atë që kemi thënë që në nisje, që trekëndëshin Berisha-Rama-Meta e bashkon një hall i madh, por që nuk është as halli i Partisë Demokratike dhe as halli i qytetarëve shqiptarë.
Pastrimi i llumit të tranzicionit është mision për çdo demokrat, për çdo qytetar shqiptar dhe është e vetmja rrugë që Shqipëria të ecë përpara drejt të ardhmes europiane” – thuhet në deklaratën e PD-së.