Ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj ka thënë se FSK është e gatshme t’u dalë në mbështetje autoriteteve të Greqisë, pas tërmetit me magnitudë 5.5.
Mehaj përmes një postimi në Facebook, ka thënë se FSK është e gatshme të ndihmojë edhe Shqipërinë dhe Maqedoninë nëse kanë pësuar dëme pas këtij tërmeti.
“Ministria e Mbrojtjes, mbrëmë kemi ndarë shqetësimin me ju me rastin e tërmetit me magnitudë 5.5 që ndodhi në veriperëndim të Florinës, në Greqi, ku në mesin e 7 vendeve të prekura të rajonit ishte edhe vendi ynë. Edhe pse ende nuk ka raporte për dëme apo viktima, shprehim gatishmërinë tonë të plotë për mbështetje të autoriteteve të Greqisë, apo nëse kanë pësuar, edhe Shqipërisë dhe Maqedonisë me kapacitetet tona specialiste të FSK-së për reagim, menaxhim dhe skanim të pasojave”, shprehet ai në Facebook.
Tërmet që tronditi Greqinë mbrëmjen e djeshme ishte me magnitudë 5.6 ballë i shkallës rihter, me thellësi të vatrës 9 km, që gjithashtu lëkundi dhe vendin tonë në juglindje.