Policia italiane konfirmon sërish se pajisja IMSI CATCHER nuk mund të kryejë asnjë lloj përgjimi. Në përgjigje të interesit të Prokurorisë shqiptare për pajisjen, policia italiane me një shkresë zyrtare të firmosur nga oficeri i lartë i policisë italiane, Gianpaolo Zambonini, informohen autoritetet shqiptare se pajisja, e modelit “Vortex Air” është prodhuar nga shoqëria franceze “Erkom”, e dërguar në Itali nga shoqëria “Italarms”, është përdorur nga shërbimi i policisë shkencore për aktivitetet formuese dhe stërvitore të policise shqiptare, në kuadër të bashkëpunimit kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe trafikut të qënieve njerëzore.
Pasi jepen detajet se çfarë bën kjo pajisje, drejtuesit e policisë së vendit fqinj sqarojnë se kjo pajisje, në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit përdoret në trajnime në salla por edhe në stërvitje në terren.
Në dokumentin zyrtar të Ministrisë së Brendshme italiane thuhet se kjo pajisje është në gjendje të lidhet dhe të lokalizojë telefonat celulare nëpërmjet antenave të saj.
Operatorët e përzgjedhur nga autoritetet lokale, thuhet se kanë mundur të përvetësojnë elementët e teorisë së rrjeteve radiomobile dhe në konfigurimin e instrumentit. Ata janë stërvitur në dy fazat teknike.
Ndërkohë thuhet se sistemi nuk është në gjendje të realizojë aktivitete të tjera teknike, përveç atyre të përshkruara, në veçanti nuk është në gjendje të bëjë përgjime në audio, në SMS dhe ne Data.
Letra e plotë:
Pajjisja IMSI Catcher, modeli Vortez Air, e prodhuar nga shoqëria franceze Ercom e shpërndarë në Itali nga Italarms është përdorur nga Shërbimi i Policisë Shkencore për të zhvilluar aktivitete formuese dhe stërvitore për Policinë Shqiptare, në sajë të bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe trafikimit të qënieve njerëzore.
Kjo pajisje është në gjendje që të bëjë regjistrimin dhe vendndodhjen të përdoruesëve dhe telefonave celularë nëpërmjet dy fazave të ndryshme të funksionimit.
Faza e parë: konsiston në zbulimin e antenave radiomobile të pranishme në zonën operative, duke përcaktuar për secilin nga përdoruesit telefonikë të pranishëm dhe për çdolloj teknologjie radio (2G, 3G, 4G). Ndër antenate zbuluara do të seleksionohen ato që do të përdoren për fazën tjetër:
Faza e dytë: fillimisht pajisja konfigurohet për të simuluar antenat individuale të fazës së parë. Në këtë pikë është e mundur që të kryhen dy lloje tipologjie të aktivitetit teknik.
Regjistrimi: Telefonat prezentë dhe të arritur nga antenat artificiale do t’i komunikojnë pajisjes identitetin e tij duke bërë të mundur kështu regjistrimin, edhe të monitorimit, të shërbimit (IMSI) dhe të vetë telefonave (IMEI).
Vendndodhje: Pas regjistrimit të kodit IMSI dhe IMEI të caktuar, pajisja, në këtë fazë të dytë, mund të operoje edhe si lokalizues i vendndodhjes, që parashikon dhe njohjen e pajisjes telefonike të caktuar.
Në sajë të aktivitetit të bashkëpunimit në fjalë, personeli shqiptar është përfshirë si në aktivitetin e trajnimit teorik dhe atë praktik, (në ambiente brenda dhe jashtë në terren). Operatorët e përzgjedhur nga autoritete lokale kanë mundur kështu që të marrin njohuri teorike të rrjeteve radiomarrëse të nevojshme për fazën tjetër dhe konfigurimin optimal të pajisjes. Janë trajnuar për të realizuar të dyja fazat teknike dhe dy tipologjitë e aktivitetit.
Sistemi nuk është në gjendje që të realizojë aktivitete të tjera teknike nga sa përshkruhet më lart. Në veçanti nuk është në gjendje që të kryejë asnjëlloj përgjimi audio, SMS apo të dhënash.