Doli në qarkullim libri: “Kolaboracionistët grekë projektuesit dhe udhëheqësit e genocidit në Çamëri” i historianit Arben P. Llalla.
Në këtë libër autori sjellë fakte rreth genocidit grek kundër popullsisë shqiptare në Çamëri si dhe dëshmi se nuk ka patur asnjëherë bashkëpunim kolektiv të popullsisë çame me pushtuesit italianë dhe gjermanë, qëllimi i genocidit grek ishte për të spastruar Çamërinë-Epirin e Jugut nga shqiptarët, grabitja e pasurisë, si dhe vendosja e refugjatëve ortodoksë të ardhur ndër vite nga Azia e Vogël.
Gjatë operacionit në shpërnguljen e hebrenjve të Janinës për në kampet e përqendrimit dhe shfarosjes, gjermanët në bashkëpunim me xhandarmërinë greke shpërngulën edhe dhjetëra çamë antifashistë. Kjo tregon qartë se shqiptarët e Çamërisë ishin në anën e partizanëve grekë.
Konservimi nga ana e shtetit grek, të shtëpive dhe tokës private që pronarë të vërtetë janë shqiptarët, tregon qartë se spastrimi etnik i Çamërisë nga elementi shqiptar ka patur prapavijë politike e pa mbështetur në asnjë fakt për akuzën e bashkëpunimit me gjermanët.
Pa një zgjidhje të çështjes kaq delikate çame nuk mund të ketë fqinjësi të mirë, miqësi të sinqertë midis grekëve dhe shqiptarëve, të cilët më shumë i bashkojnë lidhjet e interesave se sa i ndajnë.
Që mbi pasionin të dalë vlerësimi objektiv shkencor i dukurive dhe fakteve që parashtron e analizon, historiani Llalla sjell rreth 60 fotografi origjinale ku tregohet qartë bashkëpunimi i shtetit grek dhe klerikëve të lartë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Greqisë me pushtuesit italianë dhe gjermanë.
Pasthënia e autorit
Nuk ka asnjë dokument dhe fotografi që vërteton bashkëpunimin e popullsisë shqiptare në Çamëri me pushtuesit italianë dhe gjermanë gjatë viteve 1941-1945. Kanë bashkëpunuar me gjermanët individë dhe kjo është më se e logjikshme se çdo etnitet ka patur njerëz të tillë. Në Greqinë e viteve 1941-1945, shumica e popullsisë, klerikë të lartë ortodoksë, politikanë, intelektualët grekë, vllehë, sllavë bashkëpunuan me pushtuesit e Greqisë, bullgarët, italianët dhe gjermanët.
Të gjithë ato histori se ekzistojnë fotografi apo dokumenta që implikojnë popullsinë shqiptare në Çamëri si bashkëpunëtore të italianëve dhe gjermanëve nuk ekzistojnë, janë gënjeshtra, histori të sajuara. Teoria e bashkëpunimit të çamëve me gjermanët dhe italianët është teori e konspiracionit, e cila u ndërtua nga vllehët për të mbuluar historinë e tyre të errët për Pavarësinë e Principatës së Pindit apo themelimin e shtetit të vllehëve. Pas vitit 1944, politikanë, qeveritarë, kisha greke, historianë, publicistë, e të tjerë, ju përveshën punës për të hedhur baltë mbi shqiptarët e Çamërisë. Nuk mund të vërtetohet apo të dokumentohet që shqiptarët e Çamërisë kanë bashkëpunuar me italianët dhe gjermanët, sepse historia e gënjeshtrës nuk mund të quhet histori e vërtetë. Asnjë akademik apo historian grek nuk ka vërtetuar shkencërisht bashkëpunimin e masës së gjerë të çamëve me italianët dhe gjermanët. Ata gjithnjë kanë ngritur akuza politike, një metodë klasike e njohur tashmë për t’u mbyllur gojën atyre që thonë dhe mbrojnë të vërtetën.
Mundet të ketë pasur individë çamë që kanë qenë spiunë të gjermanëve, por nuk mundet të përfaqësojnë të tërë Çamërinë dhe të persekutohet një popull i tërë në emër të tyre, megjithëse nuk është faktuar shkencërisht që kishte çamë spiunë. Bashkëpunimi i dinejve me italianët dhe gjermanët është mëse i logjikshëm, nëse shihen me gjakftohtësi gjërat. Shteti grek u kishte sekuestruar pa të drejtë pasurinë e tyre të trashëguar dhe i kishte përzënë nga Greqia. Kështu, pushtimi i Greqisë nga Italia dhe Gjermania u shfrytëzua si një mundësi për t’u rimarrë pasuria, për t’u vendosur e drejta e pronës. Deri më sot ende nuk është vërtetuar se dinejtë bashkë me rojet e tyre që akuzohen se kanë bashkëpunuan me italianët dhe gjermanët të kenë marrë pjesë në ndonjë masakër ndaj grekëve. Grupacioni i tyre jo i rregullt ushtarak ka luajtur rolin e ruajtjes së rendit dhe qetësisë në vendbanimet shqiptare në Çamëri nga keqbërësit e shumtë që qarkullonin si pasojë e urisë së zezë që kishte kapur Greqinë ato vite.
Historiani grek Jorgos Margaritis shkruan se shqiptarët e Çamërisë u rreshtuan në Ushtrinë Çlirimtare Popullore Greke e Shqiptare në shifra rreth 3.000 njerëz.
Në fillim të vitit 1944, në Qeramicë të Filatit u krijua Batalioni IV i përbashkët shqiptaro-grek “Ali Demi” diku me 500 luftëtare, Batalioni hyri në përbërjen e Regjimentit të XV të ushtrisë nacional-çlirimtare greke. Në komandën e tij ishin Spiro Shqevi, Muharrem dhe Tahir Demi, Dervish Dojaka, Vehip Hyso, Ali Shane, Kasem Demi, Izet Osmani, Hasan Minga.
Nga Greqia u përzunë për mos t’u kthyer më edhe ata shqiptarë që ishin rradhitur në forcat partizane greke, një rast të tillë kemi të dokumentuar të Petrit Demit, babai i politikanit të njohur Leonard Demit. Mësuesi Panajot I. Mici nga Finiqi, kujton se Petrit Musa Demi ishte partizan në rradhët e ushtrisë greke ELAS. Në Mars të vitit 1943, një grup partizanësh grekë kishin qenë në disa fshatrat e minoritetit për t’i mbrojtur nga gjermanët. Midis këtyre partizanëve grekë kishte qenë edhe Petrit Musa Demi. Minoritari Panajot I. Mici, ka edhe një foto të këtyre partizanëve ku tregon se cili ishte Petrit Musa Demi.
Nuk mund të ketë asnjëherë miqësi dhe fqinjësi të sinqertë të grekëve me shqiptarët përderisa Greqia nuk kërkon ndjesë për genocidin e 1944-1945. Greqia si anëtare e BE-së, NATO-s dhe e shumë organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut duhet t’ju kthejë pasurinë e grabitur çamëve dhe të krijojë kushtet e rehabilitimin në trojet e tyre. Por a do të rikthehen ndonjëherë çamët në shtëpitë e tyre? Kjo pyetje ngjall pesimizëm dhe emocione të forta tek shqiptarët. Unë besoj se shqiptarët e Çamërisë do të rikthehen një ditë, sepse historia e botës ka njohur Perandorinë Romake, e cila u zhduk me gjuhë e kulturë, kishim Perandorinë e Bizantit e cila u shpërbë, më tepër se 500 vjet Perandoria Osmane kishte pushtuar popujt e tjerë të Ballkanit e më gjerë dhe u tkurr. Për 50 vite kishim ndarjen e Gjermanisë, por një ditë ata u bashkuan, ashtu siç kishim Çeko-Sllovakinë, të cilët u ndanë paqësisht.
Për rikthimin e çamëve në Çamëri nuk është se duhet të ndodhë ndonjë çudi, nuk është as e pamundur, por grekët dhe shqiptarët duhet të jenë të përgatitur që rikthimi të bëhet paqësisht dhe mirësia e dashuria të mbretërojë përfundimisht midis dy fqinjëve që më shumë i lidhin gjërat me njëri-tjetrin se sa i ndajnë. Të mos harrojmë se grekët dhe shqiptarët kanë më shumë martesa midis tyre se me popujt e tjerë, ky është një fakt i pamohueshëm.
Tashmë e vërteta dihet, përse shqiptarët e Çamërisë u përzunë nga Greqia dhe ju hoq pa të drejtë shtetësia greke. Pas shumë vite kërkimesh dhe vizitash që kam bërë në Epir, në disa fshatra që njihen historikisht si vendbanimet që kanë jetuar shqiptarët erdha në përfundimin se në shumicën e këtyre fshatrave janë vendosur vllehë dhe emigrantë të ardhur nga Azia e Vogël. Këta ardhacakë u grabitën shqiptarëve të Epirit të Jugut, historinë e lavdishme, veshjen popullore, këngët, shtëpitë dhe pronat. Pjesa më e madhe e shqiptarëve ortodoksë nga Çamëria emigruan për t’i shpëtuar racizmit shtetëror jashtë Greqisë dhe brenda saj, thellë në Athinë e Selanik. Disa familje ndërruan mbiemrat e tyre për të humbur gjurmët. Sot, shumë deputetë dhe kryetarë bashkie në Çamëri janë njerëz që vijnë nga familjet e vllehëve që kanë qenë bashkëpunëtorë të italianëve dhe gjermanëve dhe nuk u dënuan asnjëherë kolektivisht.
Historia e vërtetë, pavarësisht shtrembërimeve që mund t’i bëhet gjatë viteve, ajo nuk mund të zhbëhet, por do dalë në sipërfaqe në vendin dhe kohën e duhur për t’na rikujtuar gëzimet apo dhimbjet që na ka shkaktuar.