Presidenti i Shqipërisë i kërkon ministrit të Jashtëm grek, heqjen e Ligjit të Luftës, por edhe të njohë Kosovën
Abrogimi i Ligjit të Luftës, çështja e pronave të shtetasve shqiptarë në Greqi, çështja e komunitetit çam, ishin çështjet kryesore, për të cilat bisedoi Presidenti Bujar Nishani me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Kotzias.
Përmes një njoftimi për mediat, Presidenca bën të ditur se kreu i shtetit e pritit sot ministrin e punëve të Jashtme të Republikës së Greqisë, Nikos Kotzias, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri. Në njoftimin për mediat, theksohet se Presidenti i Republikës përshëndeti këtë vizitë të dytë të ministrit Kotzias në Shqipëri brenda një viti, duke e vlerësuar si një dëshmi inkurajuese të marrëdhënieve shumëdimensionale e dinamike të fqinjësisë së mirë.
Kreu i shtetit theksoi se falë traditës historike të bashkëpunimit të dy vendet duhet që me vullnet dhe angazhim të përbashkët t’i forcojnë më tej raportet e besimit, si dhe t’i adresojnë të gjitha çështjet dypalëshe pa paragjykime, në funksion të realiteteve dhe nxitjes së mëtejshme të marrëdhënieve mes dy vendeve në të gjitha aspektet.
Presidenti i Republikës theksoi gjithashtu se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë një impakt të madh edhe në kuadrin e zhvillimeve rajonale, pasi si dy prej fqinjëve më të vjetër në rajon, kanë një rol për të luajtur dhe kontribut për të dhënë në dobi të paqes dhe sigurisë në rajonin e Evropës Juglindore.
Në këtë këndvështrim, Presidenti Nishani u shpreh se është shumë e nevojshme njohja dhe mbështetja e Kosovës nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe theksoi se beson se zëri i Greqisë për stabilitetin dhe paqen në rajon mbetet një zë shumë i rëndësishëm.