Kryeministri Edi Rama udhëtoi për në Bergamo ku ndodhet kombëtarja shqiptare për t’u uruar fat në Euro 2016. Luani me zemër dhe pa presion” qe mesazhi që u është përcjellë sot çunave të kombëtares para nisjes së tyre drejt Francës. Në mëngjesin e sot ata u mblodhën në hotel “Winter Garden” ku morën dhe mesazhet e fundit.
Armando Duka: Urojmë që ju ta luani këtë kompeticion pa presion. Ne e konsiderojmë veten me objektiva të realizuar. Gjithsesi si skuadër futbolli nuk shkojmë atje për të plotësuar numrin por për ti dhënë vlera. Luani pa presion dhe pa ngarkesë psikologjike. Është shumë e rëndësishme që ju të kënaqeni por dhe me lojën tuaj të kënaqen të gjithë tifozët.
Edi Rama: Erdha për tju përshëndetur dhe për tju uruar rrugë të mbarë dhe kampionat të mbarë.
E rëndësishme është që ju të jepni në fushë gjithcka që keni. Ju përfaqësoni jo Shqipërinë, por gjithë kombin. Përfaqësoni Shqipërinë, Kosovën dhe të gjithë trojet ku banojnë shqiptarët, përfaqësoni ëndrrën e shqiptarëve sot për sukses dhe dinjitet dhe për të qenë të barabartë.
Përfaqësoni një forcë që është integruar në BE përpara se Shqipëria dhe Kosova u ulën në tryezën e familjes europiane. Hyni në fushë me emocione pozitive pa u kontraktuar nga ideja se mund të humbisni por të motivoheni nga ideja se jeni këtu dhe përfaqësoni zemrën e shqiptarëve.
Giani De Biasi: Të japim maksimumim sepse nuk ka kundërshtarë të pamposhtur. Kemi mundësinë të mundim të gjithë por dhe të humbasim kundër të gjithëve
Menjëhërë pas takimit, Kombëtarja Shqiptare e Futbollit u nis për në aeroportin e Bergamos.