Shefja e diplomacisë së BE-së, jep mesazhin e prerë për politikën shqiptare një ditë para takimit Rama-Basha
“Ç’do deputet apo grupim politik parlamentarë që nuk miraton reformën në drejtësi do të mbajë përgjegjësi”, është ky mesazhi i qartë dhe i prerë që vjen nga shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Federica Mogherini. Përmes një deklarate për shtyp, Mogherini ka thënë se vota për reformën në drejtësi është me përgjegjësi të lartë, ndërsa thekson se drafti që ndodhet në kuvend reflekton rekomandimet e bëra nga Komisioni i Venecias, si dhe është plotësisht në linjë me standardet evropiane, ndaj ajo e cilëson esenciale që ky propozim të miratohet në shumicë në kuvend.
“Një reformë tërësore dhe e thellë në drejtësi ka qenë prej një kohe të gjatë kërkesa e shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë. Ajo është gjithashtu thelbësore për hapin tjetër të vendit drejt integrimit në BE. Propozimi ligjor që ndodhet tashmë para Kuvendit pasqyron rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe përputhet plotësisht me standartet evropiane. Është thelbësore që ky propozim të miratohet një shumicë prej 2/3 që kërkohet.
Bëhet fjalë për një votë për të cilën çdo deputet i Kuvendit, i cilitdo grupimi politik, mban përgjegjësi të veçantë. Siç e nënvizova para Kuvendit së fundmi kur isha në Tiranë, kjo mund të jetë nisja e një kapitulli të ri të historisë tonë të përbashkët. Ajo mund të hapë rrugën për një fillim të ri, dhe prandaj presim që të gjitha forcat politike ta përdorin raundin e fundit të konsultimeve nesër për të miratuar propozimin. Presim që të gjithë partnerët tanë shqiptarë të dëshmojnë angazhimin e tyre për këtë reformë duke e miratuar atë dhe duke bërë gjithë përpjekjet e tyre për zbatimin e saj. Qytetarët shqiptarë presin që udhëheqësit e tyre politikë ta përmbushin këtë”, thekson Mogherini.
Mesazhi i Bashkimit Evropian, vjen një ditë para atakimit që pritet të mbahet mes kryeministrit Rama dhe kryetarit të PD-së, Lulzim Basha. Takimi organizohet pikërisht për reformën në drejtësi.