Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu këtë të premte ka qenë në Sauk, ku ka ndjekur nga afër proçesin e vaksinimit në Qendrën Shëndetësore Sauk në periferi të Tiranës, duke i bërë apel qytetarëve, që të mos e neglizhojnë vaksinimin anti-covid.
Duke theksuar se situata po monitorohet me shumë kujdes, Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se ka sinjale të pazakonta nga analizat e kryera në ISHP, për prezencën e variantit Delta në Shqipëri.
Manastirliu u shpreh nga qendra shëndetësore e Saukut, se vaksinimi do të vijojë me intensitet gjatë verës dhe foli për kalendarin e mbërritjes së vaksinave anticovid në vend.
“Në Institutin e Shëndetit Publik janë duke u bërë analizat dhe është vlerësuar që një seri mostrash, të cilat janë identifikuar si sinjale të pazakonta, të çohen në Laboratorin e Referencës në Gjermani, për të bërë vlerësimet e mëtejshme dhe për t’u bërë sekuencimi genomik, në mënyrë që të shihet nëse ka një qarkullim të mundshëm të variantit Delta në Shqipëri.
Ne duam të vijojmë vaksinimin me ritëm dhe po sigurojmë edhe disponibilitetin e vaksinave për këtë. Brenda korrik-gushtit ne presim edhe 500 mijë doza të tjera vaksinash, për të vijuar këtë proces jetik, që është arma më e mirë për të shmangur pasojat e varianteve të reja të mundshme, siç është varianti Delta”, tha Manastirliu.