Çdo lloj shprese e një turneu futbollistik të qetë, u zhduk në minutën e 89-të të ndeshjes midis Austrisë dhe Maqedonisë së Veriut. Marko Arnautovic, një sulmues austriak me origjinë serbe, shënoi golin e tretë në fitoren 3-1 të skuadrës së tij.
Ai festoi duke sharrë nga nëna një lojtar të ekipit kundërshtar, duke ditur që Maqedonia e Veriut është shtëpia e një popullsie të madhe etnike shqiptare. Dhe ai nuk ishte incidenti i parë i tillë i këtij lloji në “Euro 2020”, gara sportive mes 24 ekipeve më të mira të Evropës, e shtyrë me 1 vit për shkak të pandemisë.
Rusia protestoi kur ekipi i Ukrainës veshi një uniformë me një hartë të vendit të tyre, që përfshinte edhe Gadishullin e Krimesë, të cilën Rusia e aneksoi në vitin 2014. Në një ndeshje tjetër një protestues i lëvizjes “Greenpeace” hodhi mbeturina mbi kokat e njerëzve në stadium – gati duke e goditur trajnerin francez – dhe u ul shumë keq me parashutën e tij.
Ndërkohë kanë qenë të nxehta debatet mbi të drejtat e homoseksualëve në Hungari, një
nga vendet organizatore të turneut të këtij viti. Para ndeshjeve, disa ekipe vendosën të gjunjëzoheshin në shenjë solidariteti me fushatën globale kundër racizmit; të tjerët nuk e kanë bërë këtë.
Politika është kudo në ”Euro 2020”. Tek e fundit futbolli, është një aleat i mundshëm i çdo ideologjie, një kanavacë e përsosur mbi të cilën mund të projektohet një botëkuptim i caktuar. Socialistët mund t’i gëzohen një industrie, në të cilën thuajse të gjitha paratë shkojnë për punëtorët.
Statistët mund të duartrokasin suksesin e kampuseve të futbollit të financuara nga qeveria në periferi të Parisit, që kanë nxjerrë disa futbollistë të klasit botëror (edhe pse ata rezultuan të paaftë për ta mposhtur Zvicrën).
Nga ana e tyre kapitalistët, e theksojnë me mburrje se lulëzimi i madh i këtij sporti, ndodhi falë tregjeve të lira, që i lejuan futbollistët të luanin kudo që dëshironin, dhe klubet t’i paguanin me pagat që ata kërkonin.
Autokratëve u kujtohet se synimi justifikon çdo mjet, pasi tifozët e futbollit e pranojnë çdo lloj lavdie, pa marrë parasysh shumën e parave që e kanë blerë atë. Ndërkohë, konservatorët mund ta cilësojnë këtë sport si bastionin e fundit shtetit-komb.
Atje ku ka vëmendje ka politikë, dhe futbolli është thjesht shumë i madh për t’u injoruar. Në Evropë, sporti ka qenë gjithmonë politik me një “p” të vogël. Ai ofron një histori më joshëse të integrimit evropian sesa zyrtarët që e drejtojnë kontinentin nga Brukseli dhe Luksemburgu. UEFA, administratorja e këtij sporti në kontinent, u themelua në vitin 1954 ndërsa politikanët evropianë ishin në kërkim të mekanizmave për ta bërë të pamundur shpërthimin e luftës në të ardhmen.
Ashtu si me Komunitetin Evropian të Qymyrit dhe Çelikut, që i parapriu Bashkimit Evropian, një nga themeluesit kryesorë të UEFA-s ishte një francez, dhe ai u detyrua të fitonte mbi skeptikët e shumtë mbi idenë e tij të organizimit të turneve të rregullta ndërkombëtare të futbollit.
(Siç e kanë zakon, ekipet britanike bojkotuan turnetë e parë, vetëm për t’iu bashkuar atyre
më vonë). Por kishte një dallim. Ekonomitë e Evropës u ndërthurën më njëra-tjetrën për të penguar konkurrencën midis vendeve; ndërsa UEFA u themelua për ta promovuar atë.
Një zyrtar italian pati frikë se ndeshjet futbollit ndaj njëri-tjetrit do të “rrezikonin ndezjen e pasioneve të mëdha kombëtare”, pikërisht vetëm një dekadë pasi pasione të tilla kishin shkaktuar miliona të vdekur gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Dhe në fakt pasionet kombëtare u ndezën vërtet, por fatmirësisht në një mënyrë shumë më pak vdekjeprurëse. Flamujt valëviten nëpër stadiume, dhe herë pas here ofendohen nënat shqiptare, por kjo është vetëm një pantomimë e ndjenjave që kishin dikur pasoja fatale.
Kur flitet për integrimin evropian, futbolli përfaqëson një alternativë ndaj superegos racionale të BE-së. Por epërsia globale e futbollit evropian, është një produkt i këtij integrimi. Rregulli i lëvizjes së lirë në BE, nuk mund ta kufizojë punën e të huajve.
Lojtarët vendas, mund të zëvendësohen me lojtarë të huaj më të mirë, dhe më pak të kushtueshëm. Vendimi “Bosman” në vitin 1995 nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë, i lejoi lojtarët që të largohen nga një klub pa paguar asnjë tarifë në përfundimin e një kontrate.
Pagat nisën të rriteshin, ndërsa klubet garuan më njëri-tjetrin për të tërhequr lojtarët më të mirë. Televizionet investuan shumë para në këtë fushë, dhe cilësia e lojës nisi të përmirësohej.
Biznesmenët e huaj, të tërhequr më shumë nga një përzierje e prestigjit dhe pastrimit të imazhit, sesa nga përfitimi, blenë shumë klube futbolli në kontinent. Ndërsa Evropa është shndërruar ngadalë në një “moçalishte” për biznesin në përgjithësi, ajo është dominuese në futboll.
Ligat më cilësore ndodhen të gjitha në Evropë, gjë që ka çuar edhe në një sukses të madh ndërkombëtar:skuadrat evropiane kanë fituar 5 nga 6 botërorët e fundit. Për një kontinent të fiksuar pas tkurrjes së rolit të tij në botë, futbolli ofron një arenë ku ai është ende superior ndaj të tjerëve.
UEFA përpiqet që të krijojë një mjedis apolitik gjatë turneve fitimprurës. Por përzgjedhja e sponsorëve, e ka përjashtuar tashmë këtë gjë. Shumë evropianë nuk kanë dëgjuar ndoshta kurrë për “Nord Stream 2”, një gazsjellës shumë i diskutueshëm që kalon nga Rusia në Gjermani, dhe që e ka vendosur qeverinë e Angela Merkel kundër fqinjëve të saj lindorë dhe SHBA-së.
Por ata mund ta njohin “Gazprom”, kompaninë shtetërore ruse të gazit që Ajo sponsorizon si Ligën e Kampionëve, ku garojnë klubet elitare evropiane, ashtu edhe “Euro 2020”. Logoja e saj kaltëroshe shkëlqen në çdo ndeshje. Në këmbim të parave, Gazprom e kuron imazhin e saj, duke e lidhur kryesisht veten me futbollin, sesa me një shtet gangster.
Në një kontinent ku po zbehen aspektet e kombësisë, qofshin ato banale (rregullat doganore), apo të përditshmërisë (monedhat) apo emocionale (kufijtë), futbolli është një mënyrë për t’u mbajtur ende pas atij identiteti. Kështu identiteti kombëtar belg shtrihet tek një mbret, një grumbull i madh borxhesh, dhe një ekip çuditërisht shumë i mirë.
Një analizë e shkurtër e rrugëtimit të Kroacisë drejt pavarësisë, fillon me shkelmin që Zvonimir Boban i Dinamos së Zagrebit, i dha një polici jugosllav gjatë një trazire në fushën e blertë në vitin 1990, dhe përfundon me Davor Suker që pi bashkë me portierin e Danimarkës në ”Euro 96”, turneu i parë ku mori pjesë Kroacia si një vend i pavarur.
Kur Çekosllovakia fitoi kampionatin evropian në vitin 1976, ekipi dominohej nga lojtarët sllovakë, gjë që u dha atyre një shtytje të suksesshme për pavarësi, argumenton David Goldblatt, një historian i sportit.
Në rastin më të mirë, futbolli ndërkombëtar është një bastion i një nacionalizmi dashamirës, të holluar; një vend ku politika mund të jetë më shumë një karnaval, dhe jo një tubim. Në rastin më të keq, ai është një arenë ku rihapen mosmarrëveshjet politike të varrosura me kujdes, sidomos nëse luajnë lojtarë si Arnautovic. /Përktheu: Alket Goce