Një moment i rëndesishëm për jetën e një 18-vjeçari, që vdes ta quajnë të rritur, provimet e maturës. Uh sa fjalë e madhe, sa ngarkesë transmetuar bashkë me të.
Më shumë të tmerrshme e të madhe këtë fjalë, këtë moment e bëjnë vetë të rriturit. E bën nje sistem arsimor, që nuk u qartësua ndonjëherë as për përbërjen e provimit, origjinalitetin e tij e as për menaxhimin e tij.
Maturanti përballet me një sistem konfuz, i cili të tjera i jep për të mesuar e të tjera i kërkon. Maturanti ndjehet në kurth.
Maturanti ndjehet i zhgënjyer.
Maturanti ndjehet i tallur.
I tallet mundi, investimi, lodhja, energjia, ëndrra.
Provimet e përballin atë për herë të parë me padrejtësinë kur ai mëson se teza është shitur, kur dëgjon se në një tualet të një shkolle dikush ka futur një telefon, apo dikush e ka gjetur tezën më parë se të fillojë provimi, apo kur nderkohe ai e pret që t’i vijë në të famshmen orën 10.00, fiks, ajo është publikuar në internet.
Ai përballet me dështimin e shtetit për të administruar provimin, sepse ai nuk i njeh instancat, strukturat e as nuk do t’ia dijë kush ishte ne rregull e kush gabim, kush u soll korrekt e kush manipuloi.
Ai del nga provimi me syte e shqyer dhe thotë: “U tallën me ne”. Maturanti përballet me hipokrizine, me hilen, me pabesine, me papërgjegjshmërinë. Të rriturit i mësojnë se nesër kështu do të zgjidhen gjërat: me “shkathtësinë” e një pelivani mashtrues që gjen tezën, që e bën ndarjen e shkollave sipas qejfit, që ble diplomën, që s’ka nevojë të mundohet se rruga e shkurtër dhe e pisët të nderon. Antivlerat kthehen në vlera, ai konfuzohet, por anormalja i ofrohet si normë.
Të rriturit i tregojnë se jane indiferentë ndaj ndjenjave dhe lodhjes së tij. Vetë shteti i vet, të cilin ai e ka analizuar në histori, ekonomi, letërsi, filozofi e sociologji i tregon papërgjegjshmërinë dhe pakujdesinë ekstreme ndaj tij.
Sigurisht, Napoloni e ka thënë ose s’e ka thënë fare: “më mirë shtatë beteja se një provim”, se ka emocionin e vet brenda. Është një prov-im. Ti vihesh në provë për njohuritë e tua dhe ai moment prove bëhet vendimtar për jetën tënde… Jo maturant, nuk e tregon ky moment vlerën tënde. Nuk mund ta masë një shifër, në këtë kontekst, të ardhmen tënde.
Ik, maturant, larg, po të përzë vetë ky sistem dhe këtë shkrim po e bën një zyshë, e cila është duke punuar me ty një projekt për promovimin e vlerave dhe bukurive të Shqipërisë, që pikërisht ti të mos ikësh larg…
Prandaj fëlliqësia që shoqëron provimin e maturës është shuplaka e parë që i thotë: “ik maturant!”, “Apliko jashtë!”, “Ik, larg!”
Dhe atje larg ky lëmsh padrejtesish, hipokrizish, hilesh, indiferentizmi, fasade do t’i duket nje llumnajë nga e cila ka shpetuar vërtet, por ka lënë vendin e vet në rrethin vicioz të braktisjes… Kush do ta bëjë ndryshimin, kur ëndrrat, energjinë dhe pastertinë i largon me duart e tua?