Kreu i PD-së, Lulzim Basha e ka ndalur turin e takimeve sot në Kavajë, Rrogozhinë dhe njësitë administrative 15-16, ku ka takuar nga afër demokratët.
Gjatë fjalës së tij, Basha tha se PD-ja do t’i bindë aleatët për atë çka e cilësojnë masakrën zgjedhore, ndësa bashkë me aleatët do të përgatisin një platformë për t’i rikthyer legjitimitetin dhe demokracinë Shqipërisë.
Fjala e plotë e Lulzim Bashës
Faleminderit zoti kryetar! Zonja drejtuese politike, kandidat, drejtues të strukturave të Partisë Demokratike në degën e Kavajës. Veteran, themelues, qëndrestarë, drejtuese të Forumit të Lidhjes Demokatike të Gruas, të rinj e të reja të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, më lejoni së pari të shpreh kënaqësinë më të thellë nga zemra që jam sot në mesin tuaj e t’ju falënderoj për këtë mikpritje të jashtëzakonshme!
Më keni qëndruar në krah në sfidat e betejave të mëparshme atëherë dhe më pas në sfidat e qeverisjes të Partisë Demokratike, të cilat i kthyem në realitet, i kthyem në mirësi për njerëzit, e më keni qëndruar në krah në beteja e pareshtura dhe sakrificat e jashtëzakonshme të përballjes me Edi Ramën dhe regjimin e tij duke bërë kështu të mundur, pra, që jo vetëm të rrisnim e të projektonim projektin tonë politik të ndryshimit, por duke e konsideruar veten time në këtë mënyrë një investim tuajin duke ju patur në krah prej ditës së parë e në vazhdim në të gjitha betejat dhe në të gjitha sfidat.
Ndaj, siç më keni pritur me zemër të hapur, ashtu e kam zemrën e hapur për t’ju thënë sot faleminderit dhe mirënjohje të thellë për gjithçka që keni bërë! Fjalët dhe qëndrimet që kam mbajtur gjatë këtij turi nuk janë thjesht ndjenja që burojnë nga zemra, por janë mbi të gjitha frymëzimi që marr kur shoh, kur ju takoj demokratëve anembanë vendit, sfiduar nga makineria më e madhe dhe më e përbindshme e korrupsionit dhe e krimit elektoral që ka njohur Shqipëria në 30 vite, por në të njëjtën kohë ballëlartë sepse nuk i ikët betejës, zgjodhët të qëndronit, zgjodhët të përballeshit anembanë vendit, zgjodhët të përballeshit me dinjitetin më të madh dhe me trimërinë që e keni trashëgim nga orët e para të përmbysjes së diktaturës, nga orët e para të demokracisë, që janë orët e Kavajës dhe të rinisë së Kavajës.
Këtë e dinë të gjithë, e di dhe kundërshtari, i cili njësoj si në ato vite, edhe kësaj radhe u përpoq ta përgjakte qëndresën tonë. Me sulmin barbar ndaj Bled Okshtunit, po asgjë dhe askush nuk mund ta thotë më mirë sesa Vullneti, i ati i tij, kur e pyetën sa kohë ka që është aktivizuar Bledi me Partinë Demokratike, tha që kur ka lindur. Që kur ka lindur dhe që do të vazhdojë sa të ketë frymë. I kam dëgjuar, lexuar, e rilexuar disaherë shprehjet e tij pas sulmit barbar në zyrat tona. Sepse nga njëra anë, padiskutim më shkaktonin një emocion të thellë, siç ma shkaktojnë edhe sot, po nga ana tjetër janë një frymëzim i jashtëzakonshëm për mua dhe për këdo ku ndodhemi këtu, në këtë tokë të demokracisë, ku kurrë, asnjëherë pishtari i ndezur nga rinia e Kavajës për liri dhe demokraci nuk është shuajtur.
As në ditët më të errëta ku qyteti, bashkia dhe komunat ranë në dorë të llumit dhe të kriminelëve. Ndaj më vjen mirë që ndodhem mes jush dhe ju shoh, ashtu siç shoh anembanë Shqipërisë që në shpirtrat tuaj, në zemrat tuaja dhe në sytë tuaj, mërzia, dëshpërimi, zhgënjimi i orëve të para, i kanë lënë vend zemërimit për padrejtësinë e 25 prillit, por po kështu vendosmërisë për të vazhduar misionin tonë, mision i cili peshon me gjithë peshën e tij mbi supet e demokratëve, peshë e cila është shumë më e madhe se Partia Demokratike. Sepse është pesha e fateve të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
Ndaj më vjen mirë që ju gjej ballëlartë dhe krenar për betejën e kryer përball një mekanizmi, një makinerie të paparë të masakrës zgjedhore që kombinonte në vetvete dogmatizmin dhe urrejtjen patologjike për kundërshtarin politik të regjimit komunist, me harbutërinë dhe poshtërsinë dhe terrorin e regjimit të korruptuar të 2001, dhe bandat, shoqëruesit e pandarë të pushtetit të Edi Ramës si në 2017 dhe akoma më shumë në 2021.
E pra përkundër zmadhimit të kësaj makinerie, agresionit të drejtpërdrejtë ndaj gjithsecilit prej jush, demokratët e Kavajës jo vetëm qëndruan, por i ofruan betejë shtëpi më shtëpi, lagje më lagje, fshat më fshat, nuk u tundën për asnjë çast dhe arritët përkundër këtij presioni jo vetëm të mbeteshim në këmbë e të qëndronim, por të rriteshim, të bëheshim më të fortë dhe më të mëdhenj. Ishte angazhimi juaj dhe shpirti i vetmohimit që pash atë natë kur u godit zyra jonë, ishte vendosmëria për t’i shkuar deri në fund betejës këtu në Kavajë sikundër anembanë Shqipërisë. Faktori kryesor se pse me gjithë angazhimin e kundërshtarit në këtë masakër zgjedhore, ne dolëm nga beteja më të mëdhenj dhe më të fortë seç hymë.
Më të mëdhenj jo thjesht në kuptimin numerik të shqiptarëve që zgjodhën të na besonin e të na ndiqnin, ku në fakt në duart tona s’kishte asgjë, asnjë pushtet njësoj si në 91-shin. Por zemrat i kishim ploë me shpresë, me besim, me qëllime të mira për të zgjidhur problemet e panumërta që ky regjim j’ua ka ngarkuar kapicë mbi shpinë, që ky regjim j’ua ka zbrazur tavolinat dhe xhepat. Dhe nga ana tjetër, erdhëm në këtë betejë pas disa betejave të tjera të cilat kanë faktuar se Partia Demokratike është e vetmja forcë në Ballkan dhe në Europën Lindore që i ka mbijetuar fatit dhe historisë për një arsye të vetme: sepse kurrë nuk e ka parë pushtetin si asgjë tjetër, përveçse një mjet për t’i shërbyer qytetarëve.
Ky ishte dhe elementi kryesor i besimit që u ngjall në zemrat e kavajasve dhe të gjithë shqiptarëve. Ata e kuptuan se beteja nuk bëhej për karrigen time dhe karriget tuaja, ata e besuan dhe e besojnë se përballë një pakice harbutësh të korruptuar të cilët kishin dhe kanë për qëllim ta mbajnë vendin peng për xhepat e tyre kishte vetëm një alternativë: familja jonë politike. E vetmja familje vlerash. Ata me kriminelë e analfabete si Aqif Rakipi me shokë e ne me njerëz të vlerave, kulturës, intelektualë .
Ata me dhunë, shantazh, terror shtetëror banditësh me një polici në rastin më të mirë në gjunjë para krimit dhe në shumicën e rasteve shoqëruese e mbrojtëse e krimit, ne me program, me ide, me vizion, me zgjidhje për hallet e panumërta të shqiptarëve të cilat për katër vjet i prekëm derë më derë e shtëpi më shtëpi.
Ndaj dua t’ju shpreh mirënjohjen time më të thellë sepse nuk ka qenë thjesht një betejë e pabarabartë. Por ka qenë një masakër kapilare zgjedhore ku ditë për ditë dalin e zbulohen fakte, prova e dimensione të reja të kësaj masakre.
Jeta e gjithsecilit prej nesh, e gjithsecilit prej atyre që përfaqësonin këtu demokratët e Kavajës, e qytetarëve, bashkëqytetarëve tuaj shënohet nga momente të veçanta dhe unë besoj se ky është një nga ato momente të veçanta kur na duhet të marrim vendime të mëdha. Padiskutim këto kanë qenë vite të vështira, nuk kanë qenë vite as privilegjesh e as përkëdhelje, as për mua dhe lidershipin tim, por as për ju dhe ju jeni vetë dëshmitarë e kësaj që po them sepse keni qenë bashkëshoqëruesit e bashkëluftëtarët e këtyre sakrificave.
Por ajo që kemi arritur së bashku nuk mund të hidhet përtokë, as të bëjmë sikur s’e shikojmë për interesa apo mërira të çastit. Ne kemi arritur bashkimin më të madh të zemrave për shkak të vlerave tona, për shkak të synimeve tona, për shkak të programit tonë. Ne kemi arritur frontin më të madh opozitar në 30 vjet pluralizëm dhe bashkimin më të madh shoqëror me të gjithë grupet e interesit dhe të gjithë qytetarët që është edhe arsyeja sepse regjimi kreu masakrën më të madhe zgjedhore.
Ajo që ka ndodhur me 25 prill nuk është një proces tjetër zgjedhor me disa probleme. Me 25 prill ka rënë perdja e hekurt dhe është asgjësuar instrumenti i vetëm i ndryshimit që kishte mbetur që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ka rënë demokracia.
Demokraci do të thotë vullnet i shumicës dhe kur vullneti i shumicës tjetërsohet dhe pakica i mbivendoset me të gjithë mekanizmat, atëherë nuk kemi të bëjmë më me demokraci, atëherë kemi të bëjmë me një regjim. Sepse njësoj si në 91-shin , 25 prilli njësoj si me 31 mars kishte zgjedhje pa zgjidhje.
Pa zgjidhje sepse vullnetit të shumicës për ndryshim, për rotacion, aspiratës dhe shpresës së shumicës së shqiptarëve për të larguar regjimin e 8 viteve dhe për t’i hapur rrugë ndryshimit, iu mbivendos me dhunë dhe me mekanizmat e shtetit të krimit pakica.
Pra, beteja sot nuk është më një përballje midis dy kampeve politike dhe nuk është një përballje thjesht dhe vetëm për të rritur e shtuar mbështetjen elektorale. Beteja sot është ekzistenciale, do të kemi apo s’do të kemi demokraci në këtë vend. Detyra jonë është që në këtë betejë të organizojmë dhe të marrim me vete pikërisht atë shumicë të dhunuar të 25 prillit e cila sot pikëpyetjet e para 25 prillit i ka edhe më të mëdha. Atë shumicë që votoi për ndryshim dhe që dhunshëm iu mohua përkohësisht ndryshimi, e cila sot jo vetëm nuk është e kënaqur, por është e shokuar, e tronditur, e zhgënjyer nga njëra anë, dhe nga na tjetër akoma më e dëshiruar për ndryshimin.
Kjo është gjendja që ju e njihni. Tani çështja është kush do ta bëjë këtë punë. Kush përveç nesh e ka forcën për ta bërë këtë punë? Kush përveç nesh e ka moralin për ta bërë këtë punë? Kush përveç nesh e ruajti besimin e shqiptarëve për ta çuar deri në fund misionin dhe kërkesat e vullnetin e tyre për ndryshim? Ndaj kemi një detyrim të dyfishtë jo vetëm përpara sakrificës së demokratëve të cilët ju pritë në këtë betejë, por mbi të gjithë para fateve të Shqipërisë, para fateve të shqiptarëve dhe familjeve tyre për ta çuar betejën deri në fund.
Dhe ne e kemi matur veten tonë këto 30 vite jo me sa herë na ka rrëzuar fati apo tekat e historisë, por me sa herë kemi ditur të ringrihemi dhe me çfarë fuqie kemi ditur të ringrihemi dhe si e kemi projektuar këtë fuqi tek individët, tek qytetarët për t’i marrë me vete në këtë betejë.
Pra, njësoj si në zemrat e shqiptarëve, zemëratës së ligjshme për padrejtësinë e 25 prillit, po i lë vend pikëpyetjet për hapat që do të hedhim, ne na lind detyra që pas zemëratës t’i japim përgjigje këtyre pikëpyetjeve.
Përgjigja e parë që keni marrë nga kryetari i Partisë Demokratike që në ditët e para që duhet të kumbojë fort nga Kavaja e kudo në Shqipëri edhe njëherë, është që ne as i njohim dhe as nuk do ta pranojmë kurrë masakrën zgjedhore të 25 prillit. Ne do t’i bindim aleatët tanë për masakrën zgjedhore, për vjedhjen më të madhe industriale të votave në histori dhe do të përgatisim bashkë me ta shumë shpejt një platformë për t’i rikthyer legjitimitetin dhe demokracinë vendin. Ne jemi shpresa e vetme për demokraci dhe arsyeja se pse jemi të tillë është aleanca që kemi krijuar me njerëzit, ndaj duhet ta thellojmë këtë aleancë me shoqërinë, me të gjithë shtresat dhe me të gjithë njerëzit e ndershëm të këtij vendi që janë shumica absolute përballë një pakice të pakicës.”, tha Basha.