Blerina Gjylameti: Roshi ishte dënuar në mungesë, pa dijeninë e tij. Dha dorëheqjen pasi në familjen tonë poklitike të gjithë jemi të barabartë para ligjit
“Elvis Roshi nuk është dënuar asnjëherë nga asnjë gjykatë“, ka thënë Edi Rama sa herë është pyetur nga mediat për të kaluarën e Elvis Roshit. Deputetja socialiste Blerina Gjylameti, pranoi se PS dhe kryeministri e ka mbrojtur Roshin por në fund të fundit, sipas saj ligji është i barabartë për të gjithë. Edhe pse vetë Roshi ka dhënë dorëheqje, PS vazhdon e këmbëngul në pafajësinë e tij.“Roshi ishte dënuar në mungesë, pa dijeninë e tij”, tha sot deputetja socialiste Blerina Gjylameti.
Deklarata
“Sot një kryetar socialist bashkie dha dorëheqjen pasi ishte gjykuar e dënuar, në mungesë, pa dijeninë e tij, teksa ishte minoren dhe emigrant në Itali. Pavarësisht se ai vet e konsideron veten të pafajshëm, pavarësisht se faktet për të kaluarën e tij nuk i nxorën kundërshtarët politikë që deri më sot kanë hedhur veç baltë e shpifje, kryetari i bashkisë u dorëhoq, pasi në familjen tonë politike të gjithë jemi të barabartë përpara ligjit dhe askush nuk mund të ushtrojë detyra publike për sa kohë është në kundërshtim me ligjin. Ne që e kemi mbrojtur zotin Roshi, pasi në fund të fundit ai ishte i pafajshëm për aq kohë sa nuk provohej e kundërta, sot i themi se pafajësinë ai duhet ta provojë në instancat gjyqësore. Ligji qëndron mbi të gjithë ne, e për sa kohë ligji është shkelur, edhe pse në rrethana krejtësisht misterioze, ne nuk na mbetet asgjë për të bërë veçse ta respektojmë ligjin dhe dënimet që ai përcakton për shkelësit.
”, tha Gjylameti.