Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje deklaroi ditën e sotme se konstituimi i institucioneve të reja të Kosovës do të bëhet sa më shpejtë që të jetë e mundur, por kjo varet edhe nga aspekti procedurial.
“Gjithçka do të shkojë, sa më shpejt që të mundet nga ana jonë. Të vetmet kufizime janë ato që kanë të bëjnë me aspektin procedurial”, thenksoi Kreu i LVV-së.
Pas takimit që pati mëngjesin e sotëm me Vjosa Osmanin, Glauk Konjufcën, Donika Gërvallën e Saranda Bogujevcin, kryeministri i zgjedhur i Kosovës u shpreh se së bashku me ta ka folur për procesin zgjedhor.
“Sot u takuam (në këtë lokal) mëqenëse është e diel dhe në Kuvend të Kosovës nuk deshëm që t’i nxjerrim jashtë orarit kamarierët. Biseduam për procesin zgjedhor, biseduam për orarin drejt konstituimit të institucioneve. Ishim bashkë me presidenten, Vjosa Osmani dhe tashmë, deputeten e ardhshme, Donika Gërvalla dhe ishte një takim i këndshëm, i së dielës paradite. Urime Dita e Mësuesit”, tha Kurti.
Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, bashkë me iniciativën e Vjosa Osmanit, kanë fituar zgjedhjet e 14 shkurtit. VV ka marrë 49.95 për qind të votave, duke siguruar 58 ulëse në Kuvendin e Kosovës.