Nënkryetarin e LSI, Petrit Vasili ka deklaruar se darka e Dubait ishte festa e blerjes së Portit të Durrësit duke mos njohur ligjet e shtetit shqiptar.
Në një konferencë për mediat, Vasili i bëri thirrje SPAK që të nisë hetimet për këtë skandal.
“SPAK sot duhet të jetë në alert më shumë se kurrë. Asnjë deklaratë mbështetje në shqip apo anglisht nëse nuk ngrihet të godasë këto paligjshmëri, të cilat kërkojnë përgjigje. Po shqyhet Shqipëria, prona e saj publike ditën për diell.SPAK të veprojë sot, ose nesër do të jetë në bankën e të akuzuarve bashkë me këta që kanë kryer këto akte të rënda. Më e pakta do të ishin përpara drejtësisë. Dokumentacioni nuk është sekret. Është në duart tuaj. SPAK vepro tani”, tha Vasili, ndërsa publikoi edhe dokumentet nga marrëveshja e nënshkruar.
Deklarata e plotë:
Të nderuar qytetarë dhe qytetare!
I gjithë opinioni publikë është tronditur nga pamjet sigurisht të përshtira të darkës së famshme në Dubai, ku qeveri, bashki, oligarkë, gra të qeveritarëve e të tjerë, ishin shtruar në një darkë që la një shije të pashlyeshme e të hidhur në sytë e shqiptarëve. Megjithatë, kryesorja dhe mbi të gjitha, ajo që dua të ndaj me ju është që të kuptoni se cili ka qenë thelbi politik, ekonomik, shpërdorues dhe shkelës i ligjeve që simbolizoi në darkë, i cili ishte shumë më tepër sesa ajo që keni parë, pra ca ushqime të shtrenjta e të tjera.
Këta zotërinj dhe zonja të ulur atje, së bashku me personazhin kryesor që mungonte, e që ishte Edi Rama, pak javë më parë në fillim të dhjetorit kanë miratuar një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara, ku kanë nënshkruar aktin më të rëndë në marrëveshjet që mund të bënte Shqipëria dhe shkeljen më skandaloze të ligjit që ajo mund të bënte dhe që një qeveri shqiptare mund të ketë bërë në këto 109 vjet shtet të pavarur shqiptar.
Që të jem shumë konkret, çfarë thotë marrëveshja? Për të gjithë ju ajo ndodhet në ekran, ashtu sikurse është firmosur dhe ka hyrë tashmë në fuqi, e votuar dhe nga Parlamenti i bashkë hajdutëve të qeverisë. Është rënë dakord që sipas marrëveshjes që kanë nënshkruar të dyja palët, të gjitha projektet, kontratat dhe gjithë çka lidhje me këtë marrëveshje nuk do t’i nënshtrohen asnjëherë prokurimit publik, tenderit publik, procedurës konkurruese publike apo ndonjë procedure tjetër të përcaktuar në legjislacionin kombëtar të Republikës së Shqipërisë. Dhe konkretisht në tavolinën e darkës ka edhe një menu tjetër. Kjo është edhe menuja e vërtetë, që të dini se çfarë shqyen në atë darkë. Në atë darkë ishin 3 projekte, pikërisht pjesë e kësaj marrëveshjeje: rizhvillimi i Portit të Durrësit, mundësitë e investimeve në industrinë e turizmit, bujqësisë dhe logjistikës së Vlorës, Sarandës, Ksamilit dhe e treta investimet në fushën e turizmit në zonën e Përmetit. Pra të gjithë këto zona me një potencial të jashtëzakonshëm turisti, me mundësi të jashtëzakonshme, që nëpërmjet garës së hapur, konkurrimit të ndershëm, themelit të një shoqërie demokratike, por që bën biznes të ndershëm, janë tashmë objekt ndarjeje e shitjeje, pa asnjë konkurrim e asgjë, dhurata reciproke që Shqipëria i bën kujt i intereson.
Për të kuptuar diferencën, dhe kjo është më e lehta në botë, po ju citoj sesi përcaktohet me marrëveshjen që ka pasur jo qeveria e Rilindjes, por qeveria e para vitit 2013, një marrëveshje e firmosur në vitin 2012, në 19 janar. Që në nenin 1, marrëveshja thotë qartë: Palët kontraktuese angazhohen që të zhvillojnë bashkëpunim ekonomik e tregtar ndërmjet dy vendeve, në pajtim me legjislacionin në fuqi në të dyja vendet. Pra marrëveshjet e qeverive të mëparshme, të përgjegjshme, respektonin një për një legjislacionin në të gjitha vendet. Ndërsa kjo marrëveshje siç e shikoni thotë: Ndani, hani, pini, vini në tavolinë dreka e darka, njëherë vini Ksamilin, njëherë që nga Vlora e deri në Sarandë, gjithë bregdetin e Jonit. Merrni të gjithë bukuritë e Përmetit e ndajini si të doni, pa konkurrim e pa garë. E këto kush i bën? Një vend kandidat i Bashkimit Europian, në një Europë e cila konkurrencën e ndershme, prokurimin publik të hapur e transparent, garën dhe shpirtin e saj që jep mundësi për të pasur investime sa më transparente, më të qarta, më të sigurta, më të mbrojtura, ja heqin Shqipërisë dhe u kthehen procedurave të grabitjes nëpërmjet një dore të vetme, një emri të vetëm dhe atje siç e patë, presin e shqyejnë ato që janë të gjitha pasuritë e Shqipërisë. Njëherazi, duhet të kuptoni dhe të jeni shumë të qartë që me marrëveshjen e bërë jo vetëm janë shkelur një tufë me ligje të Shqipërisë, jo vetëm janë tradhtuar interesat e Shqipërisë, jo vetëm Shqipëria në veprimet të tilla është vite larg nga Bashkimi Europian, i cili ka kërkuar për procese më të voglat dhe më të ngushtat, gara të hapura e transparente, të cilat evitojnë çdo lloj batakçillëku shtetëror, por kanë dalë si të tillë.
Njëherazi, është shumë e çuditshme dhe interesante, që mbyllja e marrëveshjes, për të kuptuar të nderuar qytetarë sesi vepron një mazhorancë politike e kapur nga interesat e saj korruptive të pafund, çfarë thotë në fund fare? Kjo marrëveshje thotë nuk do të ndikojë në përmbushjen e angazhimeve, zotimeve, programeve të punës dhe marrëveshjeve, përveç nëse bie dakord ndryshe me shkrim nga palët. Që të kuptoni, do të thotë që në qoftë se shteti shqiptar ka marrë përsipër të ketë marrëveshje të tjera që fillojnë që nga Bashkimi Europian, që vazhdojnë me kontraktorë të tjerë publikë, privatë e të tjera e të tjera. Të gjitha këto janë marrëveshje që palët bien dakord, mund t’i kundërshtojnë e t’i hedhin në tokë, e mund të përfundojnë në ato arbitrazhet e jashtëzakonshme ku humbasin miliarda, vetëm e vetëm që të realizohet interesi i momentit.
Por si ka qenë marrëveshja e dikurshme, dhe ju kështu kuptoni se sa e lartë është shkalla e korrupsionit, grabitjes së pafund e të pangopur shtetërore. Marrëveshja e mëparshme thoshte qartë: Dispozitat e kësaj marrëveshjeje nuk cenojnë të drejtat ose detyrimet që lindin nga marrëveshjet dhe memorandumet mirëkuptimit e në fuqi, që janë lidhur nga palët kontraktuese, ose me palë të treta, ose organizma ekonomikë, rajonale e ndërkombëtare. Pra e kuptoni shumë qartë dallimin ndërmjet transparencës, pushtetit që do të jetë në rregull me ligjet në fuqi dhe një shteti që ndan prenë dhe e shqyen. Duhet të kuptoni pra, që në darkën që keni parë nuk kanë qenë biftekët e mishit, gotat e verës a të tjera, por ka qenë Porti i Durrësit me gjithë qindra hektarë përqark, ka qenë vija bregdetare nga Vlora në Sarandë, keni parë gjithë bukuritë e Përmetit që do ndaheshin. Dhe kjo ka qenë darka e vërtetë, dhe ky ka qenë shkaku pse në darkë kishte ministra, përfaqësues bashkie, oligarkë, bashkëshorte e të tjerë e të tjerë. Ishte gëzimi i shqyerjes së Shqipërisë, pronës së saj dhe shitja pa garë, pa konkurrencë, në shkelje të çdo ligji, sepse kemi firmosur e vulosur vetë dhe ka votuar një Parlament maskarenj, që tregojnë si grabitet Shqipëria.
SPAK sot duhet të jetë në alert më shumë se kurrë. Asnjë deklaratë mbështetjeje për SPAK, në shqip apo në anglisht nuk ka asnjë vlerë në rast se ai nuk lëviz, nuk aktivizohet dhe nuk ngrihet në këmbë për të goditur këto paligjshmëri të cilat ulërasin e të cilat kërkojnë përgjigje. Po shqyhet Shqipëria, prona e saj publike, interesat e saj ditën për diell. SPAK ose vepron sot ose nesër do të jetë patjetër në bankë e të akuzuarit, së bashku me të gjithë këta që kanë kryer akte shumë të rënda dhe të cilat më e pakta do të ishte që të ishin përpara drejtësisë dhe mbrapa hekurave. Dokumentacioni nuk është as sekret, as i fshehtë, është në duart tuaja. I gjithë dokumentacioni që unë iu referova është publik. SPAK vepro tani! Shqiptarët do të vazhdojnë të jenë të vëmendshëm, opozita do të vazhdojë të jetë e vëmendshme, nuk do të falë, së bashku me mundësinë e jashtëzakonshme që më 25 prill të rikthejë interesat e Shqipërisë në duart e shqiptarëve, në duart e transparencës, në duart e biznesit, ngado që ai të shfaqet, në Europë, Amerikë e gjetkë, dhe asnjëherë në duart e shitjes nën dorë midis një qeverie dhe një të interesuari, për të ngrënë e shqyer darkën e radhës. Ju faleminderit të gjithëve!