Komisioni i Venecias në raportin paraprak për ndryshimet në Kodin Zgjedhor në Shqipëri, i cilëson si jashtëzakonisht të nxituara dhe të pakonsultuara në nivelin e duhur, ndërsa shton se është Gjykata Kushtetuese që duhet të vlerësojë kushtetutshmërinë e ndryshimeve. Komisioni kërkon që palët duhet të hyjnë në dialog konstruktiv për të sqaruar ndikimin e ndryshimeve.
“Në përmbledhje Komisioni i Venecias ka gjetur se: ndryshimet e njëanshme për zgjedhjet, jashtëzakonisht të nxituara;
Ndryshimet u bënë pa konsultime të duhura dhe jo në një proces gjithëpërfshirës; palët duhet të hyjnë në dialog konstruktiv për të sqaruar ndikimin e ndryshimeve; kushtetutëshmëria e ndryshimeve të vlerësohet nga Gjykata Kushtetuese; ndryshimet kushtetuese shkuan kundër rregullave më themelore demokratike të hartimit të ligjit;
stabiliteti i ligjit zgjedhor është thelbësor për të siguruar besimin në procesin zgjedhor; ndryshimi i formulës së koalicioneve ka pak gjasa të ndikojë në rezultatin zgjedhor; është e vështirë të parashikohet efekti i listave pjesërisht të hapura;
ndryshimet hynë në fuqi pasi procesi zgjedhor ka filluar; liderët e partive politike të përmbahen nga të qenit kandidatë në disa zona elektorale”,- thuhet në opinionin paraprak të Komisionit të Venecias.