Ditën e sotme mësohet se ka ndërruar jetë në qytetin e Parisit, gjuhëtari i njohur shqiptar, Profesor Doktor Remzi Pernaska, gjuhëtar shqiptar dhe francez, studiues dhe pedagog prej më shumë se 50 vjetësh.
Ai ka kontribuuar aktivisht në studimin dhe mësimdhënien e gjuhës shqipe. Ka qenë njohës i disa gjuhëve të huaja, ka mbrojtur tri doktorata në gjuhësi, dy në Francë dhe një në Shqipëri.
Ka qenë anëtar i disa shoqatave gjuhësore të Francës dhe Parisit dhe pjesëtar komisionesh dhe redaksish botuese në Shqipëri. Profesor Përnaska ka qenë patriot në ndihmë të çështjes shqiptare në Paris.
Profesor Përnaska si moto udhëheqëse ka patur “Botën time e drejton dëshira për të qenë i dobishëm.”
Jeta dhe edukimi
Ai qysh në fëmijëri ishte në kontakt me tri gjuhë, shqipen, turqishten dhe maqedonishten, kjo pasi 6 vitet e para të fëmijërisë së hershme i kaloi në qytetin e Strugës pranë gjyshit të tij nga nëna, Nuri Sojli, që ka qenë delegat dhe ka nënshkruar dokumentin e shpalljes së Pavarësisë, më 28 nëntor 1912, në Vlorë. Në Korçë vijoi shkollën fillore, shtatëvjeçare dhe të mesmen “Raqi Qirinxhi”, e cila konsiderohet si vazhduese e traditës së Liceut. Aty mësoi edhe rusisht e frëngjisht dhe pas gjimnazit, për rezultate të shkëlqyera, iu dha e drejta e studimit për gjuhë dhe letërsi ruse në Institutin e Lartë Pedagogjik të Tiranës. Në vitin 1960 u dërgua për studime orientalistike në Moskë. Në vitin 1961 vazhdoi studimet e larta për Gjuhë e Letërsi shqipe në Fakultetin e Historisë e Filologjisë të Universitetit të Tiranës.
Karriera e tij akademike
Në vitin 1974 do ta gjejmë në Paris si lektor të gjuhës shqipe në Institutin e Gjuhëve dhe të Qytetërimeve Lindore. Atje punoi deri në vitin 1982. Puna si lektor tashmë ndërlidhet me atë të udhëheqësit shkencor për disertantët e rinj, shqiptarë dhe të huaj. Ai ka udhëhequr punime vjetore, diploma dhe disertacione për shkallën e parë të kualifikimit pasuniversitar, sidomos në planin përqasës midis një gjuhe të huaj dhe asaj shqipe. Prof. Përnaska ka qenë anëtar i Komisionit për mbrojtjen e disertacioneve për gjuhët e huaja në Universitetin e Tiranës. Qysh prej vitit 1988, me vendim të Këshillit të Ministrave, caktohet anëtar i “Komisionit të Lartë për marrjen e gradave dhe të titujve shkencorë” për gjuhët e huaja. Ai ka qenë dhe vazhdon të jetë anëtar jurie për mbrojtje disertacionesh në Universitetin e Sorbonës, në Institutin e Gjuhëve dhe të Qytetërimeve Lindore në Paris, në universitetet e Puatjesë dhe të Monpeliesë. Këtij personaliteti të shkencës shqiptare i është dhënë e drejta që të mund të marrë pjesë si anëtar jurie në mbrojtje doktoratash për gjuhësi në Francë. Nga viti 1991 deri në shtator 1997 ka punuar sërish si lektor i gjuhës shqipe në Institutin e Gjuhëve dhe të Qytetërimeve të Lindjes në Paris. Jo vetëm mësimdhënia, por edhe hartimi i materialeve të ndryshme didaktike për mësimin e shqipe janë pjesë e interesave dhe kontributit të shquar të prof. Përnaskës. Kjo gjen shprehje në doracakët e fjalorët në tekstet shkollore dhe universitare e pasuniversitare.
Botimet e prof. Përnaska
Ai hartoi një doracak me titullin “Parlons albanais”, që u botua më 1999 nga Shtëpia Botuese “Lë Harmattan”. Bashkautor Ch. Gut dhe A. Gut. Ka botuar gjithashtu punimin doktoratës së shtetit, dy doracakë “Glossaire et guide militaire de conversation francais – albanais”, E.I.R.E.L, Alb. 02, Strasbourg, 1997, 222 f. dhe “Elements de grammaire albanaise”, Complement au Glossaire Alb 02, E.I.R.E.L, Alb. 03, Strasbourg, 1997, 60 f. Punon prej shumë vitesh për hartimin e një fjalori shqip-frëngjisht të tipit të mesëm (mbi 60.000 fjalë) në Laboratorin FORELL të Universitetit të Puatjesë (shih “Les cahiers FORELL, textes, languages, informatique”, N° 7, Poitiers, 1996, faqet 199-216). Në të njëjtën kohë ai punon për pjesën shqipe në një fjalor shprehjesh që po hartohet nga Qendra e Kërkimeve dhe e Studimeve për Përhapjen e Frëngjishtes të Ecole Normale. Superieure à Fontenay/Saint-Cloud. Për mësimin e gjuhës shqipe nga frankofonët, në Institutin e Gjuhëve dhe të Qytetërimeve të Lindjes në Paris ka përgatitur një gramatikë, një përmbledhje me tekste dhe elemente të nj’ metode. Në bashkëpunim me kolegët shqiptarë të këtij Instituti është përgatitur një antologji me pjesë të zgjedhura nga letërsia shqipe. Këto janë shumëfishuar me metoda reprografimi për nevojat e mësimdhënies, por ende nuk janë botuar nga ky Institut. Që nga viti shkollor 1997-1998 e deri sa doli në pension ka qenë “Professeur associe” në Ecole pratique des hautes études të Sorbonës ku ka drejtuar edhe Seminarin për tekstet e vjetra në gjuhën shqipe. Ai njihet si ndër autorët e parë të teksteve shkollore për arsimin e lartë dhe të mesëm (shkolla pedagogjike). Në bashkëpunim me Lumnie Boriçin, ka përgatitur emisionet për mësimin e gjuhës shqipe për të huajt në Radio-Tirana. Ka marrë pjesë në tubime shkencore e komisione për informatizimin e të dhënave gjuhësore shqipe si në Gjermani dhe në European Commission, Directorate-General, Joint Research Centre në Itali. Bashkëpunoi me pedagogen e informatikës të Universitetit të Sorbonës Odil Piton për informatizimin e të dhënave gjuhësore të shqipes. Kauzës së njohjes dhe studimit të shqipes i shërben edhe puna prej përkthyesi të spikatur që ka bërë dhe vazhdon të bëjë profesor Përnaska. Kështu, ai kam përkthyer nga frëngjishtja këta libra: Luan Starova, Faik Konitza et Guillaume Apollinaire – une amitie europienne, L’Esprit des Peninsules, Paris, 1998, 239 f.; Christian Gut, Pasco Vassa (1825 – 1892), Prishtin’, 2008, 760 f.; Gabriel-Xavier Culioli, La terre des seigneurs, Un sicle de la vie d’une famille corse, Lieu commun, Paris, 1986, 181 f.
Si veprimtar me zë për çështjen shqiptare në Francë e kudo nëpër botë
“Dua që eshtrat e mia të prehen në Lin të Pogradecit”. Këto kanë qenë fjalët e fundit të patriotit shqiptar Ibrahim Themo. Ai njihet si një ndër veprimtarët e shquar për çështjen shqiptare dhe atë të gjuhës shqipe në përgjithësi. Ka themeluar shoqërinë “Bashkimi dhe përparimi”, kushëri dhe mik i afërt me Dervish Himën, vëllezërit Frashëri, pinjoll i familjes Sojli dhe intelektual i kohës së Rilindjes. Mbështetur në vlerësimet e prof. Kristaq Priftit, në monografinë për jetën e tij Mjekut okulist të diplomuar në Stamboll e specializuar në Paris, Ibrahim Themo, ai ishte një ndër rilindësit e parë që krijoi një shoqëri kundra tiranizmit të Sulltan Abdyl Hamidit të II-të. Veç kësaj, ai u bë përkrahës i shkrimit të gjuhës shqipe me germa latine, aq sa ata që përkrahnin alfabetet e tjera, filluan ta thërrisnin me nofkën “Latinisti”. Ndihmoi për përhapjen e leximit dhe të shkrimit shqip të tij. Përveç dërgimit të librave shqip të shtypur në Stamboll, më 1897, Ibrahim Themo u kërkoi autoriteteve turke të kohës që atje ku ka 40 nxënës të mësohet gjuha e vendit. Veprimtaria e tij patriotike ndiqet më tej nga vë llai i tij) Nuri Sojli, gjyshi i prof. Përnaskës, i cili, sipas rrëfimit të këtij të fundit, ka qenë pjesë marrë s në Kongresin e Dytë të Manastirit, në Kongresin e Dibrës dhe në atë të Elbasanit. Pas Kongresit të Elbasanit, familja Sojli e Ibrahim Themos dhe klubi “Bashkim dhe përparim”, kanë ndihmuar financiarisht shkollën shqipe në Korçë. Mund të vazhdoja edhe më mbi këtë figurë, por si edhe lexuesin më “cyt” pyetja: Përse ky kapërcim pindarik në kohë dhe në personazhe? Ç’lidhje ka midis tij dhe profesorit tonë të nderuar? Këtë e tregon lidhja e gjakut, e thotë “pema e tamblit” që degëzon e nuk resht së gjelbëruari kurrë. Tradita patriotike për gjuhën shqipe dhe tradita intelektuale ( për studimin e saj) ka vazhduar edhe në ditët tona. Atë e vazhdon profesor Remzi Përnaska që është stërnip (nga linja amësore) i Nuri Sojlit. Edhe ai ka marrë pjesë në një Kongres dhe ka nënshkruar rregullat e Drejtshkrimit Shqip në Kongresin Drejtshkrimor të viti 1972. Për të mos u zgjatur e përsëritur po përmendim se veprimtarinë e tij patriotike, të pandashme nga ajo intelektuale, e plotësojnë përpjekjet që bën ai për njohjen dhe lartësimin e kulturës shqiptare të personaliteteve të fushave të ndryshme të kulturës e dijes. Pak njerëz e njohin faktin se Prof Remziu ka ndihmuar për botimin e veprave të plota të Ismail Kadaresë nga Shtëpia botuese “Fayard”.Ai ka ndihmuar dhe ndihmon shtëpitë botuese për zgjedhjen e veprave letrare që janë përkthyer nga shqipja në frëngjisht. Përkthyesit francezë i janë mirënjohës për ndihmën që ai u jep për përkthime sa më të mira nga shqipja në frëngjisht. Gjithashtu edhe lexuesi shqiptar i është mirënjohës për përkthimet e përkora, të pameta dhe elegante që sjell nga frëngjishtja si: Faik Konitza et Guillaume Apollinaire – une amitie europeenne, L’Esprit des Peninsules”, “Pasco Vassa (1825 – 1892).3. “ La terre des seigneurs, Un siecle de la vie d’une famille corse, Lieu commun, Paris, 1986., ” L’albanais dans la mythologie grecque”, Hylli i Dritës, Ai ka botuar e vazhdon të botojë me dhjetra artikuj në shtypin e përditshëm shqiptar, në Shqipëri, në Kosovë dhe në diasporë, për probleme të gjuhës shqipe, për albanologë vendës dhe tëhuaj. Përciptazi po përmendim : “Detyra e parë e çdo intelektuali është atdhetaria”, “Louis Benloeë për lashtësinë e popullit shqiptar dhe të gjuhës shqipe “, “Selman Riza, një atdhetar i flaktë dhe shkencëtar i madh e jo konformist”, Illyria, 29 qershor- 1 korrik 1995, f. 14; “Anri Buasën – themelues i mësimdhënies së shqipes në Francë”,për jehonën e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë në Francë (I. Kadare, R. Qosja, B. Mustafaj, D. Berisha, L. Starova, I. Haxhi-Kristo, Jetullah-haliti), etj.Tek ky njeri i mirë me zemër të bardhë e mendje të hapur spikat mbi të gjitha dëshira për bashkëpunim dhe ndihmë. Hidhni një sy bibliografisë dhe veprimtarisë së tij shumëplanëshe dhe do të vëreni se ai ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon me këdo, shqiptar dhe të huaj; shkencëtar me përvojë apo rishtar në këtë lëmë; gramatikan e historian; artist e përkthyes, mësues apo autor tekstesh shkollore etj, etj. Ai që ka shkruar e thënë fjalë të mira për shumë nga kolegët e tij ( kujto këtu shkrimet për Çabejn, për Demirajn, Domin , Rizën, Çelikun etj.), hesht e nuk mburret për punën e vet dhe jetën e thjeshtë që bën. Shtëpia e tij në Francë është strehëza e ngrohtë për këdo që shkel në Paris. Aty gjen mikpritjen tradicionale shqiptare, gjen fjalën e ngrohtë, gjen “debatin” intelektual e patriotik, e, pse të mos e përmendim këtu, edhe gjellët e shijshme që gatuhen nga zonja e shtëpisë. Profesori ynë i papërtuar nuk e ka për gjë të bëjë edhe “guidën kulturore” të specializuar për ata që shkojnë dhe duan të njihen me Parisin e thesaret e tij.