Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, doli sot para mediave për t’iu përgjigjur deklaratave të Presidentit Nishani, një ditë më parë. Veliaj e cilëson Presidentin si përçarës dhe një zyrë shtypi të Partisë Demokratike.
“Presidenti doli në konferencë vetëm për interesin e tij personal, siç ka bërë gjithmonë. Asnjëherë për çështje kombëtare nuk ka thënë gjë. Presidenti është kthyer në një zyrë shtypi i PD-së. Është përçarësi i vendit, ka përdorur çdo mundësi për ta përçarë shoqërinë. Kurrë nuk ka folur për interesin publik ky president në ikje”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku e pyet Nishanin: “Çfarë mendon Presidenti për 5 pallatet te diga e liqenit, pak metra nga këndi i lodrave? Kur ka mendim për këndin e lodrave, duhet të ketë dhe për këtë.
Basha e ka dhënë lejen, pasi qeveria kishte ndaluar ndërtimet në gjithë territorin e vendit. Askush nuk e ka aprovuar ndërtimin te diga”.
Një ditë më parë Nishani deklaroi se do ta padisë kryebashkiakun për shpifje.