Nga Alket Veliu
Ajo që po ndodh ditë me radhë në kufirin shqiptaro-grek është vazhdim i një sjellje poshtëruese dhjetra vjeçare e qeverisë greke ndaj emigrantëve shqiptarë kontribues të padiskutueshëm në ekonominë greke si fuqi punëtore, por edhe intelektuale, kulturore dhe sportive. Është një sjellje injoruese, inferiore anti njerëzore dhe anti kushtetuese dhjetra vjeçare e shtetit shqiptar ndaj qytetarëve të tij.
Le të mendojmë një çast sikur kjo radhë e stisur të ishte në anën tjetër të kufirit me grekë apo italianë që do të donin të hynin në vendin tonë. Reagimi i qeverive do të ishte krejtësisht i ndryshëm, nuk do të kishte një ministër rendi që do t’u tregonte qytetarëve procedurat, por një ministër rendi që do ta kalonte natën me qytetarët e vetë deri në gjetjen e zgjidhjes. Nuk do të kishte një kryeministër të papërgjegjshëm, i cili nga shezlongu buzë detit Jon, do t’u kujtojë emigrantëve që procedurat janë të njëjta për çdo vend të BE, por një kryeministër, i cili jo vetëm do të kishte ngritur në këmbë Ministrinë e Jashtme, por edhe do të kishte krijuar shtabe të emergjencës duke dërguar në pikat doganore ekipe mjekësh, ndihma ushqimore, ujë dhe kabina tualeti që t’ua lehtësonte sado pak emigrantëve këtë radhë të gjatë.
Të mos harrojmë që kryeministrit, të cilit i kërkohet ky angazhim është edhe ministër i Jashtëm dhe kryetari i OSBE.
Në radhë pritje ka pleq, të sëmurë, fëmijë pa asnjë ndihmë dhe qeveria është me pushime. Janë shqiptarë që vijnë çdo vit të takojnë familjarët apo të kalojnë pushimet në vendin e vetë, të cilët sa herë vijnë betohen që nuk kthehen më, pikërisht nga keqtrajtimi dhe mungesa e vemendjes së shtetit amë ndaj tyre, në kufi, zyra të gjendjes civile, hipoteka e të tjera. E megjithatë ata përsëri vijnë dhe do të vijnë pasi gjaku nuk bëhet ujë. Sa herë vijnë e njëjta situatë, aq e madhe është indiferenca ndaj tyre sa që duket sikur të gjitha palët janë mësuar dhe mjaftohet me revolta të çastit të emigrantëve të argasur nga keqtrajtimi.
Për ditë me radhë sytë dhe mendimet e shqiptarëve ishin në Kakavijë dhe Kapshticë me lutjet të mos ndodhte më e keqja, por ajo ndodhi sot.
Sot, u sos edhe durimi, sot u vra një fëmijë, jo nga ambulanca por nga indiferenca, nuk është aksident, por është krim shtetëror ndaj qytetarëve të vetë.
Vrasja e sotme duhet te jetë objekt hetimi nga SPAK dhe jo nga prokuroria e rrethit. Dinjiteti i atyre emgrantëve duhet të vihet në vend, gjaku i atij fëmije kërkon drejtësi.
Prokurorë dhe gjyqtarë boll luajtët me dispozitat ligjore në kualifikimet aspak objektive të veprave penale. Vasaliteti ndaj pushtetit ju ka zhveshur çdo ndjenjë njerëzore. U vra një fëmijë, u krye një krim dhe kriminelët duhet të përgjigjen para drejtësisë.
Veproni ju, më parë se të veprojë zemërimi qytetar mbi ju.