Në një mbledhje të Aleancës së Grave Deputete sot, fjala e njërës prej anëtareve të kësaj Aleance, u duk se vinte nga ndonjë aleancë “antigrua”. Deputetja e Partisë Socialiste, Zj. Mimi Kodheli në një mbledhje të kësaj Aleance, u shpreh se përgjegjësia për problemet në shkollë, për ngjarje si ajo e Babrrusë, para disa ditësh, janë mësueset! Fjalë për fjalë deklarata e saj ishte: “sot zyshat tona e kanë mendjen për të bërë të tjera punë, nuk të del koha të jesh edhe zyshë, të bësh ditarin tërë ditën, të lyesh edhe flokët, sytë buzët, vetulla, me funde e minifunde. Zysha tona kanë qenë të pamartuara dikur, por sot s’merret vesh se kush është bërë zyshë. Do ta marrim këtë situatë në dorë apo do flasim?”
Unë nuk e di që kur grimi dhe martesa të bëkan mësuese të pamirë?! Por di që një gjuhë e tillë dhe këto deklarata konsiderohen si seksiste! Janë njësoj si ato, që mbase dikur mund të mos i kenë pëlqyer zonjës Kodheli, kur të tjerët thoshin se ishte grua dhe e hijshme për të ta mbushur mendjen si Ministre Mbrojtjeje. Sot, në një klimë të tillë dhune dhe përdhunimesh ndaj grave, një deklaratë e tillë nga një grua deputete është për të ardhur keq!
Në fakt e udhës është që deputetët dhe partitë të mos i zënë fare në gojë mësuesit e mësueset! Asfare! Sepse mësueset e këtij vendi janë trajtuar historikisht si kontingjenti kryesor për të mbushur me detyrim sallat e sheshet e takimeve elektorale; sepse janë detyruar e kërcënuar me vendin e punës deri edhe për të marrë pjesë në votime monopartiake; sepse mësueset tona financiarisht trajtohen në mënyrë qesharake me paga diku te 400 mijë lekë të vjetër, me të cilat, një pjesë mbajnë familjet. Shihini një herë mësueset sa modestisht vishen dhe po s’përtuat krahasojini pak me zonjat deputete! Pagat e arsimtarëve dhe arsimtareve tona janë më të ulëtat në Rajon dhe tepër më të ulëta se të arsimtarëve të Kosovës.
T’i lënë të qeta mësueset! Të gjejnë ndonjë deklaratë tjetër bombastike për të bërë, se mësueset e këtij vendi s’i kanë dashur kurrë. As shkollën! Arsimtarëve nuk iu janë siguruar trajnime profesionale të vazhdueshme, falas, siç ndodh në vendet me arsim të zhvilluar. Këtu tek ne sa herë i volit politikës, mësues e nxënës përdoren si pa të keq. Mjaft të shohim ç’dodhi këta muaj të fundit, kur facebook-u u bombardua me video nga mësimi online, jo se kjo kishte ndonjë dobi për të nxënët dhe as për nxënësit, por se kështu ishte linja e demagogjisë për arsimin në distancë kësaj radhe. Sakaq mbiekspozimi i pashoq nëpër rrjetet sociale ishte burim potencial abuzimi dhe bullizmi. Por sigurisht këto janë fare periferike dhe anësore përballë nevojës së ethshme të qeverisë për show “shkollash”. Kështu ka qenë gjithmonë! Parrullat dhe fasada mbi të gjitha e mbi të gjithë!
Thagma të tilla si “s’të del koha dhe të lyhesh dhe të bësh ditarin dhe të jesh zyshë e mirë” mbase vijnë nga lodhja e madhe. Po, po, lodhje për të gjetur se nga kush do të drejtohet kësaj radhe gishti i përgjegjësisë, e cila është kryekëput përgjegjësi institucionale! E vërteta është se zyshat, të lyera apo të palyera qofshin, rrallë kanë mundur të zërin në rrugë institucionale për problematikat e ndryshme të shkollës, sepse përndryshe kërcënohen me vendin e punës!
Për fatin e keq të mësueseve dhe shkollave tona, as togfjalëshi i mrekullueshëm i Rilindjes, “mësues për Shqipërinë”, nuk i pakësoi problemet nëpër shkolla dhe as nuk e rriti cilësinë e mësimdhënies! Pas dështimit në këtë drejtim dhe rasteve flagrante të përsëritura të abuzimeve seksuale në shkolla, stigmatizimi i mësueseve dhe të folurit në mënyrë përgjithësuese i ngjan përpjekjes për t’u fshehur pas gishtit. Nga deputetet e Kuvendit të Republikës logjika e do që të shohim nisma konkrete për adresimin e këtyre çështjeve të mprehta, përforcim të kuadrit ligjor dhe shembuj qytetarie e solidaritet mes grave.
Para se të shprehen gjykime etiko-moralizuese, skajshmërisht seksiste, për mësueset e këtij vendi, që me të mirat dhe të metat e tyre, prapë mbajnë më këmbë shkollat tona, mirë është të hidhen sytë një herë deputetet e deputetët, një pjesë me shenja të papranueshme analfabetizmi funksional. Pasi të shihen mirë dhe me kujdes ata dhe pasi të shterohen të gjitha pyetjet për përgjegjësitë institucionale shtetërore, mbase arrihet dhe kuptohet realisht se çfarë “s’po merret vesh sot”.