Nga Saimir Demi
Kosova anëtare me numrin 55 të UEFA-s ishte sigurisht një lajm i jashtëzakonshëm dhe kjo jo e thënë thjesht për patriotizëm. Ishte fundi i përpjekjeve të një vendi që ka vuajtur shumë dhe më pas është përpjekur po aq për t’u integruar në institucionet ndërkombëtare, si një shtet i ri dhe madje dinjitoz. UEFA dhe më pas FIFA janë institucione të një rëndësie të veçantë dhe një rast i tillë mund të quhet në gjuhën e përditëshme të futbollit si një përmbysje e madhe pas humbjes së parë në “ndeshjen” për pranimin në UNESCO. Veç të tjerash është një bonus i shkëlqyer për një vend që futbollin e ka dashuri dhe deri tani e ka organizuar me një vullnetarizëm që ne të tjerët ndoshta nuk e kuptojmë. Flitet për një kampionat të rregullt, zhvilluar në kushte ekstremisht të vështira, sponsorizuar nga njerëz me shpirt të madh dhe më në fund, pas katër herë bllokimeve të tipit “Karaixhiç” ia dolën. Ndërsa ne këtej kufirit, që Kombëtaren e kemi për herë të parë në finalet e Europianit të Francës me ndihmën e një dyzine kosovarësh në bord, vetëm për kaq mund të entuziazmohemi edhe sikur ta shtrydhim partiotizmin që na ka mbetur deri në pikën e fundit. Ai, Presidenti i Federatës së Zvicrës, që ne e përfolëm aq shumë, gjatë dhe pas ditës së Kongresit të Budapestit nuk foli keq, por u tregua i sinqertë duke pyetur: Si do të bëhet me futbollistët kosovarë që luajnë me përfaqësuese të tjera, do të qëndrojnë ku janë, apo do të kenë mundësinë për të zgjedhur? Duke përfunduar me shprehjen, se ne nuk jemi të vetmit në këtë sallë që kemi këtë shqetësim. Por, kuptohet që ne u përlotëm nga fjala e Presidentit tonë të futbollit, i cili me dorë në zemër iu drejtua të pranishmëve, se ne nuk na intereson që kemi futbollistë nga Kosova që na kualifikuan dhe sigurisht janë shumë të rëndësishëm, mjafton që të votohet pro. Dhe parimisht kishte shumë të drejtë, megjithëse preferoi të fliste italisht për halle shqiptarësh. Pak më vonë ishte Saviçeviç, i cili ka luajtur një jetë në Itali dhe ka fituar gjithçka me Milanin, por iu drejtua pjesmarrësve në gjuhën e vendit të tij…, nejse kjo nuk është shumë e rëndësishme. Ajo që më bëri përshtypje ishte, se menjëherë pas pranimit, një nga televizionet më të mëdha të Kosovës organizoi një emision që titullohej (madje titrat mbetën në ekran deri në përfundim të tij): “Kosova në UEFA, tmerrohet Serbia, dridhet Shqipëria”. Paralelizmi ishte vërtetë i goditur. Ndërsa drejtuesi i emisionit që kishte nxituar të paraqitej me një uniformë blu të kombëtares së Kosovës, i drejtoi një pyetje një prej të ftuarve, i cili ka pasur kontribut në futbollin e krahinës nën ish-Jugosllavi: “Nëse një britanik, apo ngado qoftë të pyet çfarë je, si do t’i përgjigjeshe”? Dhe pas ngurimit të zotërisë së ftuar, drejtuesi insistonte që përgjigjia të ishte… kosovar. Në fakt, në këtë rast nuk është se ka gabuar askush, gazetari tifoz dhe aq më pak trajneri i Përfaqësueses së Kosovës, i cili profesionalisht beson se i ka të gjitha mundësitë të ndërtojë në një kohë rekord një skuadër konkurente, e cila neve këtej na u deshën nja tetë dekada për ta bërë. Kështu që duke lënë mënjanë festën që nuk mund të zgjasë përjetësisht, tani që jemi të kthjellët, duhet të kuptojmë se është Shqipëria ajo që ka humbur, madje shumë. Midis shqiptarëve të të dyja anëve u ngrit një doganë edhe në sport, si ato që ekzistojë edhe fizikisht dhe që janë porta, të cilat të bëjnë të ditur se njeriu mund të hyjë pa trokitur vetëm në shtëpinë e vet. Gjithmonë kam menduar se do të ishte si Gjermanitë, dy shtete që u bashkuan pas përpjekjesh të mëdha. Ndërsa shqiptarët kanë gjithmonë tendenca të bëjnë të kundërtën; Fillimisht luftojnë për jetë a vdekje për t’u bashkuar dhe më pas ngrejnë mure për të mos u parë. Dhe përfundimi është se tani e tutje, nëse shortet na përballin me njëri-tjetrin nuk do të ketë më “vllazërore”, por “derbi”, me njërën skuadër që këndon himnin me fjalët e Asdrenit dhe tjetrin që nuk këndon se nuk ka asnjë fjalë, pasi përfaqëson nën një flamur futurist, veç shqiparëve, serbët, boshnjakët, nashkalitë, arrixhinjtë dhe ndonjë racë tjetër, të gjithë me nga një yll të verdhë. Seç m’u kujtua një shprehje nga një film i vjetër shqiptar: “Ku hyni ju, tek ju apo tek ne?”. Ata sigurisht që kanë filluar të hyjnë tek ata.