Hajdari dhe Aleksandara dashuria që u kthye në ndëshkim dhe hijet e dyshimta të persekutimit selektiv ndaj partizanëve “problematik” për shokun “Shpati”. Si i mbrojti Fiqeret Shehu dy partizanët e dashuruar. Tri letra që japin detaje interesante të historive të dashurisë mes partizanësh nëpër male, atje ku Enver Hoxha kishte projektuar epopenë e lavdishme të luftës çlirimtare.
Dashuritë e fshehta të partizanëve janë ndër detajet interesante të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, për të cilat nuk është shkruar shumë. Nuk është se e kanë shumë për zemër të majtët këtë çështje, as mediat që kanë pranë. Por, për publikun e gjerë duket të jetë me shumë interes kjo temë, pasi për 50 vite me rradhë ne kemi parë tek figura e partizanit komunist, njeriun ideal. Por, ja që nuk paska qënë kaq e kulluar kjo figurë dhe paska një anë të errët të kësaj historie e panjohur më parë. Ashtu siç publikohen letrat e Enverit për Nexhmijen e anasjelltas, është interesante të njihen edhe detajet e errëta të historisë që ata të dy bashkë, Enveri me Nexhmijen, por dhe të tjerë udhëheqës komunistë kanë qenë pjesë. Krimi lë gjurmë dhe sado vonë të shkojë, dikur ato zbulohen.
Janë të shumta rastet e skandaleve seksuale në rradhët e partizanëve. Ka dokumente të shumta për raste të tilla në Arkivën e Shtetit. Ka patur raste flagrante të skandaleve seksuale në brigada të ndryshme, për të cilat është vendosur edhe dënim me vdekje. Por duhet parë edhe ana tjetër, pasi ka pasur shumë raste, kur lidhje njerëzore mes partizanësh të jenë trajtuar nga “shoku Shpati” ndryshe “shoku Taras”, ndryshe diktatori Enver Hoxha, si skandale sekasuale për t’u përdorur më pas për eliminimin e personave të caktuar prej tij si armiq të popullit. I tillë duket të jetë skandali seksual në rradhët e partizanëve, që publikon sot 27.al.
Një skandal seksual është regjistruar në kompaninë e III të Batalionit të II sulmues, ku protagonistë janë shoku Hajdar Staravecka dhe shoqja Aleksandra Pergjika. Sipas letrës së arkivuar, shoku Hajdar kishte qënë i martuar dhe pavarësisht kësaj ishte lidhur me një vajzë partizane e quajtur Aleksandra. Mirëpo lidhja e tyre ishte bërë problem deri në instancat më të larta të partisë, të cilat nisën shpejt marrjen e masave të rrepta kundër këtij skandali seksual. Më poshtë botohet e plotë letra ku jepen detajet e rastit. Komandanti Hajdar, duket se është shënjestruar para se t’i zbulohej skandali seksual, pasi në letrën e dërguar nga Mihal Prifti për Komitetin Qendror, më 16 prill 1944, Hajdari shihet si njeri i dyshimtë. Sipas konstatimit të bërë bazuar në rrjetin e informatorëve, rezultonte se Hajdari nuk ishte komunist i devotshëm dhe se kishte gënjyer kur shfaqej si i tillë. Duket se demaskimi i këtij personazhi të luftës, fsheh pas skenaret e njohura tashmë të dikatorit për të eleminuar personazhe që në të ardhmen do t’i sillnin telashe. Ndërkohë që shumë raste të tjera lidhjesh mes partizanëve, lejoheshin të rridhnin normalisht nëpër malet e Shqipërisë, atje ku Enver Hoxha kishte projektuar epopenë e lavdishme të luftës çlirimtare.
Më poshtë botohet letra e Tuk jakovës e Mihal Priftit për Komitetin Qendor si dhe përgjigja e Fiqeret Shehut, e cila përpiqej të mbronte dy partizanët nga dënimi ekstrem.
Letër e Mihal Priftit dhe Tuk Jakovës për Komitetin Qendror, 16 prill 1944
Të dashur shokë!
Mbas raportimesh të bëra verbalisht prej disa partizanëve të komp. së III-të të Bat. të II-të, në përgjegjësat e tyre, se midis Hajdar S. – komandant i asaj kompanije dhe antar partije i rekrutuar gjat muajit të Nëndorit të shkuar dhe Aleksandra P., anëtare partije e rekrutuar po rreth asaj periudhe, ekzistojnë marrëdhënje dashnore të cilat kanë mbritur deri në bashkim të dy personave gjë kjo që kish rënë në sy të disa partizanëve të kësaj Kompanije, u detyruam të bënim hetimet e duhura për të sqaruar çështjen dhe për të parë se si qëndron e vërteta. Pra u muarn në pyetje të veçant, ku ndodheshim un dhe Tuku mbasi Fiqireti me Dhorin ndodheshin me një pjesë të Brigadës që vepron në Vërçë dhe Sadiku me Bataljonin e Vtë dhe nga hetimet e pyetjet e bëra rezulton sa vijon: Më parë u-thir prej kompanis Hajdari dhe mbasi u vu në dijeni të opinionit të formuar në kompanin e tij, rreth marrëdhënjeve të tij me shoqen Aleksandër, u këshillua të tregonte si komunist e me sinqeritet çfarë marrëdhënjesh ekzistonin midis tij dhe Aleksandrës, si kishin lindur këto marrëdhënje dhe deri ku kishin mbritur këto. Qysh prej përgjegjies së parë refuzoj kategorikisht se ekzistonin midis tyre marrëdhënje të tilla, duke thënë se këto janë çpikje dhe akuza të kota, të bëra prej një skuadër-komandanti për një grindje që ndodh midis tyre dhe se ata s’i bashkon gjë tjetër dhe as që kanë biseduar gjë tjetër përveç punë partije. Me gjakftohtësinë më të madhe u këshillua pse duhesh të tregonte të vërtetën, se një gjë e tillë nuk ishte e jashtëzakonshme, në rast se ekzistonte me të vërtetë, mjafton që të ishte e sinqert dhe me pëlqimin e të dy palëve dhe marrëdhënjet e tyre të qëndronin gjithmonë brënda kufijve të seriozitetit e të mos binin në sy të partizanëve të tjerë. Ky vazhdon të mohoj ç’do marrëdhënje me ngjyrë të tillë midis tyre. Kur u pyet se shpesh herë çkëputej prej shokëve, izolohesh dhe bisedoje me të si nëpër baza ashtu dhe posht e përpjet, ky përgjigjet se un bisedoja punë partije dhe se vetëm marrëdhënje të tilla na lidhin. Mbasandaj u pyet për gjendjen e tij familjare, tregoj se është i martuar qysh prej një viti dhe se para se të vinte partizan marrëdhënjet e tyre kanë qënë të mira. Mbasi i refuzonte çdo marrëdhënje të tillë dhe habitesh për pyetjet që i bëheshin, ahere u vu përpara përgjegjësis dhe ja theksuam konsekuencat e këqija që do të kishte për të ky qëndrim i tij në rast se nga vazhdimi i hetimeve rezultonte e kundërta, ahere u përgjegj se jam përgjegjës dhe mëkatar.
Mbas këtij meret në pyetje Aleksandra dhe kjo mbasi u vu në dijeni të opinionit të formuar në kompani, pyetet të tregoj me sinqeritet çfarë marrëdhënjesh eksistonin midis saj dhe Hajdarit, në ç’rethana lindën dhe u formuan këto marrëdhënje, kush ja çfaq njëri tjetrit më parë dhe deri ku kanë mbritur këto marrëdhënje. Në fillim dhe kjo mohonte qënjen e marrëdhënjeve të tilla midis tyre dhe thoshte se janë akuza të kota, të bëra po prej atij personi që përmendi dhe Hajdari. Ma von mbasi u këshillua pse duhesh të tregonte të vërtetën, pse nuk duhesh të kishte turp, e ç’rëndësi ka lufta e soçme e veçanërisht për femrën shqiptare, e cila me pjesëmarrjen e saj në luftë siguron emancipimin e saj, u këshillua t’ishte e sinqert dhe të tregonte çdo marrëdhënje që i lidhte me Hajdarin. Fillon t’a marrë çështjen me seriozitet, fillon të skuqet, të tronditet, thot s’kemi gjë, pse s’thirët dhe Hajdarin, pyetni dhe atë t’u thot etj, mbasi nuk e kish kuptuar që dhe Hajdari ishte thirur dhe ishte pyetur para saj. Mbasi ju tha që dhe ay ishte thirrur e pyetur e bile se qëndrimi e pohimet e tij ishin krejt të kundërta me atë të saj, ahere fillon të preket, të qaj dhe eziton të përgjigjet.
Nejse, mbas këshillash të tjera dhe të shumta, pranon se eksistojnë midis tyre marrëdhënje qysh prej kohe, por më thotë qysh në fillim kam qarë dhe nuk doja të mbrija në këtë gjëndje dhe e tronditur po qante. Kjo linte të kuptonte se prej Hajdarit do t’ishte bërë ndonjë presjon, prandaj pyetet të tregoj në ç’farë rrethana lindën këto marrëdhënje, kush ju çfaq njëri tjetrit më parë e në është me pëlqimin e të dy anëve. Mbas ezitimesh tregon se i pâri ishte afruar dhe çfaqur Hajdari, por se dhe ajo nuk i pat refuzuar propozimet e tij dhe se në Pezë e në Pyrg, Hajdari i ishte afruar dhe kishin fjetur bashkë e linte të kuptohesh se dhe janë bashkuar. Mbas këtyre pohimeve të saj pyetet në se e dinte gjendjen familjare të Hajdarit dhe në se e kishte pyetur ndonjë herë a ishte i martuar ajo përgjegjet se po, e kam pyetur dhe se më ka thënë që jo, nuk jam i martuar. Pyetet, sikur Hajdari të jetë i martuar, ç’do të thoshje? Përgjigjet, ahere ka marrë në qaf një vajzë. Mbasi këshillohet shkon e prekur dhe thiret përsëri Hajdari.
Hajdari në të gjitha pyetjet e bëra përgjigjet negativisht, refuzon ç’do marrëdhënje me të dhe insiston në qëndrimin e mëparshëm. Këshillohet me njërën ose tjetrën mënyrë të jetë i sinqert, të mendoj mirë e për të mirën e tij të tregoj të vërtetën, mirpo ay po aty. I tham të tregoj veçanërisht ç’ka kish ndodh para një dite në Pyrg, bënë sikur habitet etj. Ahere i thuet se, nuk je i sinqert dhe aspak komunist, me një indiferentizmë më shumë se sa sinqeritet, përgjigjet se ndofta nuk e kam kuptuar komunizmin dhe bisedimi vazhdon me një paralalizm prej tij duke haruar se ndodhesh para një bisedimi serioz e ndofta me konsekuenca të këqija për të. Dhe mbasi përpiqesh të mbulonte ç’ka kish ndodh, Tuku i thot: neve jemi më të vjetër nga ty, më të rahur në jetë dhe më me eksperiencë nga ty, prandaj mos u përpiq ta mohosh ç’ka ka ndodh. Trego të vërtetën për të mirën tënde, por ay mbante qëndrimin e mëparëshëm. Ahere i thuhet se Partija nuk mund të toleroj një gjëndje të tillë në kompani dhe prandaj ajo do të vazhdoj hetimet dhe do sqaroj pa tjetër çështjen. Për të fundit herë këshillohet të tregoj të vërtetën, të korrigjohen gabimet, pse kjo është pika më delikate që na akuzojnë armiqtë dhe se në rast se nga vazhdimi i hetimeve, e sidomos nga referimet e Aleksandrës do të rezultonte e kundërta ahere do jetë përgjegjës para gjyqit të Brigadës. Ahere zbutet por nuk ndërron qëndrim dhe me fjalë më t’ulëta thot: un s’kam gjë me të, akoma dhe sikur të thonë të tjerët dhe Aleksandra. Ajo mund të ketë gjë por un nuk kam. Nuk kish guxim të pranonte marrëdhënjet me të. Në pyetjen në se ndonjë herë Aleksandra e ka pyetur në është i martuar a jo përgjigjet se herë i kam thënë po dhe herë jo. Dhe kjo mbasi bisedimi nuk ka qënë serioz por bile i provokuar dhe nga shokë të tjerë, të cilët për shaka e kanë pyetur kur i afroheshin një herë Straveckës. Gjat diskutimesh të tjera, rreth çështjes, thoshte: se çështja duhet sqaruar, juve pyetni dhe të tjerët do t’a shifni se si qëndron puna, duhet të marrë fund sa më parë etj.
Mbas këtyre Hajdari qëndron në dispozicion të shtabit të bataljonit të Vtë ndërsa Aleksandrën e dërguam në pjesën tjetër të Brigadës ku ndodhet dhe shoqja Fiqireti deri sa të na vijë vendimi nga ana juaj, dhe kjo mbasi është e para herë që takon në Brigadën t’onë një gjë e tillë dhe nuk dimë se ç’vendim të marrim. Po qëndrojmë në pritje të vendimit tuaj.
Nga pyetjet e diskutimet me të dy personat ne kemi formuar opinionin e mëposhtëm reth tyre. Qëndrimi i Hajdarit jo i sinqert dhe aspak komunist. Përpiqesh më kot të na bindte se nuk ekzistojnë marrëdhënje të tilla midis tyre. Ma vonë ndëron qëndrim, tronditet por nuk ka guxim të pohoj marrëdhënjet mbasi i kujtohet gjithëmon pohimi që bëri qysh në fillim se ishte i martuar. Përgjegjie negative që i ka dhënë dhe Aleksandrës reth kësaj pyetjeje tregon se ky marrëdhënjet me të nuk i ka patur të sinqerta. Pastaj që ky është i martuar dhe që nuk ekzistonte ndonjë disharmoni dhe mosmarveshje me të rëndon edhe më tepër gjendjen e tij. Nuk tregohet as pak i penduar por një nervozitet përshkon trupin e tij gjë që përpiqet ta fshehë. Përsa i përket Aleksandrës duket se ka rënë viktim i ndonjë çasti sentimental të saj dhe të premtimeve e të dinakërisë që mundet të ketë përdorur Hajdari si dhe të papjekuris e pa maturis së saj. Dukesh se i ka patur të sinqerta marrëdhënjet, por mbetet shumë e penduar dhe e dëshpëruar gjë që është dhe e dukëshme më të.
Disa shënime mbi qëndrimin e tyre në Brigadë. Hajdari jetën partizane e fillon në Brigadë simbas referimeve të tij ma parë ka patur marrë pjesë në aksjone aty rreth e përqark fshatit të tij. Në Brigadë nuk është treguar i frikshëm. Ka treguar një farë zotësije dhe prandaj është emëruar komandant i kompanis qysh kur Bataljoni ndodhesh në Tërbaç të Vlorës. Qëndrimi i tij gjat këtij udhëtimit që bënë të tre batalionet jo i dallueshëm, mbetej më tepër mbrapa kompanis për të shoqëruar shoqet e kompanis ku ndodhesh dhe Aleksandra. Qysh prej kohe kanë filluar kritika reth tij rreth qëndrimit të tij me Aleksandrën dhe të çfaqen pakënaqësira për të. Sot nuk gëzon asnjë simpathi në kompani. Përsa i përket Aleksandrës dhe kjo jetën partizane e filloj në Brigadë. Qëndrimi i saj karshi shokëve dhe shoqeve të kompanisë së saj, para se të bëheshin të dukeshme marrdhenjet me Hajdarin, ka qenë shumë i mirë. Ka marrë pjesë nëpër aksione të ndryshme të kompanisë dhe nuk është treguar e frikëshme. Politikisht mjaft e zhvilluar dhe inteligjente. Jep shumë që mund të përparojë. Qysh prej hyrjes së saj në Parti ka bërë zhvillime në çdo sektor. Brenda një kohe shumë të vogël mësoj të flasë mirë dhe të shkruajë gjuhën shqip, të cilën nuk e dinte aspak- përsa i përket shkrimit- mbase për shumë kohë ka qenë në Greqi. Me një habitje kam marrë vesh në kompani, lajmet e përhapura rreth marrëdhënieve të saj me Hajdarin. Pra siç thuhet dhe ma parë, mbasi është hera e parë që takon me brigadën tonë një gjë e tillë, po ju raportohet çështja dhe pritet mendimi dhe vendimi juej.
Të fala shoqërore Mihal Prifti V.F.L.P. 16 –IV-44
Tuk Jakova ka dhënë detajet e tij për këtë skandal. Ja letra
Të dashur Shokë!
Në lidhje me çështjen e shokut dhe shoqes qi u shkroj Mihali. Kishem me thanë dy fjalë: Hajdari si antar partije, i martuar para dy vjetësh, me gruen e tija nuk paska shku keq. Gjesti i tij me Aleksandren, ma tepër se dashuri quhet akt Imoraliteti, Viktimë e të cillit ka ra Aleksandra. Kompania e tyre dhe batalioni janë shumë të pakënaqun nga kjo ngjarje. Për çdo gja qi mund të keni me më komunikue unë jam në Mokër ose Gorë po ndrova sektor ju lajmoj.
Të fala shoqnore
Tuku
Letër e Fiqret Sanxhaktarit (Shehu) për Komitetit Qendror, 18 prill 44,
Brigada e I-rë
Të dashur shokë!
Sot morëm një letër nga Tuku e Mihali me anën e së cilës më raportonin mbi një çështje që u kanë shkruar edhe juve: mbi marrëdhëniet e komandantit të kompanisë së III-të të B.II-të shokut Hajdar Staravecka dhe shoqes Aleksandra Pergjika. Mënyra me të cilën e paraqitnin ata çështjen ishte alarmante dhe të jepte përshtypjen se çështja ishte shumë tragjike. Bisedova me shoqen, që e kishin dërguar apostafat për tu marrë vesh me mua dhe më rezulton se mënyra e zhvillimit të marrëdhënievet ka qenë krejt naturale: ay i ka propozuar shoqes për fejesë dhe kjo mbasi ka reflektuar i është përgjegjur pozitivisht, duke qenë e sigurtë, në bazë të deklaratave të tij, se ay ishte i pamartuar.
Tuku na lajmëron se në bazë të informatavet që ka ai dhe në bazë të deklaratave të Hajdarit para Tukut, Hajdari është i martuar. Shoqja deklaron se e do e nuk beson që ay të jetë i martuar; deklaron gjithashtu se nuk ka pasur marëdhënie seksuale me të në kundërshtim mbi çka më shkruante Tuku e Mihali.
Unë mendoj që nëse Hajdari është i pamartuar, çështja është vetvetiu e zgjidhur. Në rast se do na rezultojë që të jetë i martuar propozoj që, para se të merret ndonjë masë, ta pyesim atë nëse e do seriozisht shoqen Aleksandra e në një rast të këtillë ta deklarojë para nesh të ndarë (divorcuar) të parën.
Sidoqoftë presim udhëzimet t’uaja.
Të fala shoqërore: Fiqret
VDEKJE FASHIZMIT! LIRI POPULLIT! 18/IV/944