Pikërisht në kongresin e sotëm të UEFA-s që u zhvillua në Budapest ishte pothuajse e sigurtë që Kosova do të pranohej në UEFA, për t’i hapur më pas rrugën kongresit të Meksiko Siti, ku anëtarët e 55-të të institucionit që drejton futbollin në Europë do të bëheshin edhe anëtarë të FIFA-s. Përpara fillimit të këtij samiti të 40-të, presidenti aktual i FIFA-s, Infantino, pothuajse e bëri fakt të kryer anëtarësimin e Kosovës, duke e prezantuar atë si një prej të familjes. Por gjithçka mori kthesë të papritur, kur Zvicra që më parë e kishte deklaruar votën e saj pro, ka kërkuar që ndryshimi i amendamentit 5, pika 1 e statutit të UEFA-s të votohej me votë të fshehtë. Gjithçka vjen pas një zhurme mediatike të mediave helvete dhe që lidhej me futbollistët e shumtë kosovarë që luajnë për kombëtaren e drejtuar nga Petkoviç. Sipas të përditshmes “Blick”, Zvicra është e varur nga futbollistë të këtij nacionaliteti aq sa edhe Shqipëria dhe votimi prej tyre i anëtarësimit të Kosovës në UEFA do të ishte një autogol për ta. Sipas këtij amendamenti, një shtet pranohet në UEFA, nëse është më parë anëtar i Kombeve të Bashkuara dhe u votua me 33 vota pro ndryshimit, 10 kundër dhe 1 abstenim, ndërkohë që duheshin 36 vota pro.
Më pas përfaqësuesi i Federatës Zvicerane të Futbollit, sqaroi se do të dëshironte që fëmijët e këtij vendi duhet të luajnë për përfaqësuesen e tyre, por federata e tij ka shtruar disa pyetje dhe nuk ka marrë ende përgjigje si: Ku do t’i luajnë ndeshjet zyrtare, në shtëpi apo diku tjetër? Futbollistët që deri tani luajnë për shtete të tjera, a do të kenë të drejtë të zgjedhin për të ndërruar përfaqësuese? “Ne nuk jemi të vetmit në këtë sallë që kemi këtë shqetësim”, përfundoi përfaqësuesi i Zvicrës, duke ia lënë fjalën presidentit të FSHF-së, Armando Duka. “Që pas luftës, Federata e Kosovës nuk ka qenë më pjesë e Federatës Serbe, siç vazhdon të deklarojë presidenti Karaixhiç I FSF-së. Pothuajse të gjitha federatat e tjera sportive atje kanë anëtarësuar tashmë në federatat përkatëse europiane dhe ka mbetur vetëm futbolli”. Sipas Dukës, Shqipëria ka një numër të madh futbollistësh kosovarë që luajnë për Kombëtaren, por nuk e sheh si një pengesë përpara vendimit madhor që një popull i tërë të jetë me të drejta të plota në bashkësinë europiane të futbollit. Më pas u hap një tjetër raund votimesh, me logjikën që Kosova është pramuar nga shumica e vendeve të Bashkimit Europian dhe me 28 vota pro, 24 kundër dhe 2 të pavlefshme, Kosova bëhet anëtarja e 55-të e UEFA-s me të drejta të plota.