Rreth 6000 pasagjerë dhe 1000 persona të ekuipazhit janë bllokuar në anijen ‘Costa Cruises Costa Smeralda’ në një port italian në afërsi të Romës, pasi një person dyshohet si i infektuar me koronavirus.
Pasagjerja, një grua 54 vjeçare u sëmur në bordin e anijes, dhe u vendos në izolim në spitalin e anijes së bashku me shoqëruesin e saj të udhëtimit.
Pasagjerët e anijes po mbahen në bord në pritje të kontrolleve, ndërsa në rast se e dyshuara del e infektuar me koronavirus, atëherë të gjithë pasagjerët do të mbahen dy javë në anije.
Sapo u zbulua rasti i dyshuar, ekipi mjekësor aktivizoi të gjitha proçedurat përkatëse shëndetësore për të izoluar menjëherë pacienten.
Virusi ka infektuar mbi 6000 persona dhe mbi 180 janë të vdekurit.
Shumë qytete në Kinë kanë ndaluar udhëtimet, ndërsa virusi është përhapur edhe në 16 shtete të tjera.