Në letrën e tij Thaçi i ka kërkuar Kurtit që ta njoftojë nëse VV’ja do të dorëzojë emrin e mandatarit për kryeministër apo nëse do të refuzojë ta bëjë një gjë të tillë, në mënyrë që siç potencon letra e Thaçit të vazhdohet me mandatimin e dikujt tjetër, siç përmend pikën 87 të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Si President i Republikës së Kosovës jam i obliguar që të ndërmarr veprime pa vonesa të mëtejme, duke ndjekur të gjithë hapat kushtetues që qytetarët e Republikës së Kosovës ta kenë sa më shpejtë qeverinë e tyre. Duke marrë parasysh parimet demokratike, transparencën dhe korrektësinë politike, ua kam dhënë mundësinë dhe kam kërkuar në vazhdimësi që ta propozoni kandidatin/en për Kryeministër”, i ka shkruar Thaçi-Kurtit, duke theksuar se ka parasysh edhe Pikën 87 të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. K0103/14, e cila vëren “se nuk përjashtohet që partia ose koalicioni në fjalë do të refuzojë të marrë mandatin”, thuhet në letrën e Thaçit dërguar Kurtit.