Edhe qyteti i Elbasanit ka ndezur dritat e festave, për të cilën u zhvillua edhe një ceremoni me praninë e kryebashkiakut Gledian Ljatja.
Veç elementëve të shumte dekorues risi e këtij viti janë shtëpizat prej druri, ku bizneset ofrojnë shërbime te ndryshme, e ngjashme me atë që ndodh dhe në qendrën e Tiranës.
I gjithë ky dekor vezullues padyshim që ka një faturë nga pas. Fondi i përdorur nga pushteti vendor është i konsiderueshëm, ndërsa blerjet janë mbyllur që më datë 15 nëntor.
Dekori festiv per fundvit i ka kushtuar bashkise së Elbasanit plot 134 milionë lekë të vjetra, shkruan Fax News.
“Në përgjigje të kërkesës tuaj për dekorin festive të fundvitit Bashkia Elbasan ju informon se dekori i këtij viti është një dekor krejtësisht i ri, pasi u pa e nevojshme që pas shumë vitesh t’i jepej një pamje e re qytetit me rastin e festave.
Dekori, vlera dhe e gjithë procedura është miratuar me vendim të Këshillit Bashkiak dhe më pas është bërë procedura e hapur e tenderimit publik në 23.10.2019.
Dekori i festave është një dekor që i mbetet Bashkisë së Elbasanit për vite me radhë, për t’i dhënë qytetit pamjen që meriton në këto ditë të fundit të vitit.
Ne gjykojmë se krijimi i një atmosfere festive, të gëzueshme dhe të bukur, gjallëron jetën në qytet dhe ndikon pozitivisht në jetën e gjithësecilit, fëmijë apo i rritur qoftë”, citohet në deklaratën e Bashkisë së Elbasanit.