Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu nga Qendra Sociale “Gonxhe Bojaxhi”, është shprehur se shërbimi shëndetësor për qytetarët e prekur nga tërmeti në strukturat akomoduese ku janë strehuar përkohësisht, do të vijojë të ofrohet pa ndërprerje.
Manastirliu u shpreh se do të vijojë programi i vaksinimit për çdo qytetar që është pjesë e grupeve të rrezikuara për tu prekur nga gripi, për të ruajtur shëndetin e tyre.
“Janë 1338 qytetarë që janë vaksinuar kundër gripit në pikat e emergjencës ku janë akomoduar përkohësisht dhe do të vijojmë vaksinimin në çdo njësi ku janë sistemuar banorët e prekur nga tërmeti”, tha Manastirliu.
Qytetarët e prekur nga tërmeti në njësitë akomoduese po ndiqen jo vetëm nga mjekët e familjes por edhe nga mjekët e shërbimit infektiv në QSUT, të cilët janë ofruar vullnetarisht të japin shërbim për qytetarët.