26 shkolla në Durrës janë dëmtuar nga tërmeti dhe autoritetet nuk janë gati t’i fusin fëmijët në to. Më e dëmtuara është shkolla e Ishmit. Kamera e ABC News, ka filmuar disa prej shkollave, mes të cilave edhe një godinë arsimore që i ka rezistuar tërmetit, edhe pse pallati ngjitur me të është shpallur i pabanueshëm.
Qarku Durrës nuk do të nisë mësimin përpara 9 dhjetorit. Tërmeti dëmtoi 26 shkolla, por më e prekura është ajo e Ishmit.
“Kjo do të ishte klasa e 2 të e vogëlushve të Ishmit, por suvatimet kanë rënë, mjetet mësimore janë dëmtuar, dërrasa e zezë është në tokë dhe e thyer, dhe 250 fëmijë, nuk e dinë se kur dhe ku do të kthehen për mësim”,-raporton gazetarja Esiona Konomi.
Dëmtimet më të mëdha ndjehen në zonat kufitare mes bashkvie Durrës dhe Krujë.
Në shkollën e Shkafanës, një kat shtesë i bërë në vitin 2005 mbi godinën e shkollës së vjetër, ka sjellë probleme në lidhjen mes dy kateve, dhe mësuesit thonë se nuk mund tu japin garanci prindërve që një lëkundje tjetër do ta mbajë shkollën në këmbë.
Në disa raste, shkollat, edhe pse më të vjetra, ju kanë rezituar tërmeteve më shumë se godinat e reja. E tillë është dhe shkolla Shaqe Mazreku. Ajo nuk ka asnjë krisje, dhe pse pallati ngjitur me të, është shpallur i pabanueshëm.
Kjo dëshmon që gjatë ndërtimit cilësia e punimeve mbi të njëjtin truall ka qenë e ndryshme.
E dëmtuar është dhe shkolla “Naim Babameto”./abcnews.al