Tërmeti i fuqishëm me magnitudë 6.4 ballë i shkallës Rihter ka tronditur të gjithë Shqipërinë mëngjesin e sotëm.
Durrësi prej më shumë se një ore ndodhet i gjithë në terr dhe në kaos për shkak të rënies së shtyllave të tensioneve.
Bëhet me dije se të gjithë njerëzit në panik e sipër kanë dalë në rrugë.
Spitali i Durrësit është në alarm të kuq dhe po punon me të gjitha kapacitetet për të pritur qytetarët e dëmtuar dhe të përfshirë nga paniku.
Në zonën Pezë-Helmes raportohen banesa të shembura por nuk bëhet me dije për viktima. Po ashtu edhe në Golem, në zonën e Plazhit, në zonën e Kavalishencës në Plepa, në lagjen 18 dhe në disa zona të tjera të qytetit, raportohen pallate dhe godina të shembura.
Ndërkohë në lagjen numër 1 në Durrës, pranë zonës së Amfiteatrit raportohet se është rrëzuar një nga pjesët e murit të kalasë së qytetit.
Forcat zjarrëfikëse dhe të emergjencës civile janë në gatishmëri dhe po kërkojnë në rrënoja të godinave të shembura në rast të gjetjes së të mbijetuarve apo të viktimave.