Kombëtarja e Shqipërisë ka nisur grumbullimin në prag të dy sfidave të fundit në eliminatoret e Euro 2020 kundër Andorrës më 14 nëntor dhe Francës tre ditë më pas.
Një ditë më parë trajneri Edi Reja publikoi listën e zgjeruar me 26 futbollistë, si dhe një listë pritje me tetë lojtarë të tjerë. Edi Reja mund t’i lejojë vetes shumë zgjedhje, pasi gjen një skuadër në formë.
E lehtë zgjedhja në portë, ku Strakosha, Berisha e Hoxha janë protagonistë me skuadrat e tyre të klubeve. I njëjtë diskutimi edhe në mbrojtje. Gjimshiti është titullar i padiskutueshëm tek Atalanta. Ismjali po ashtu, ndërsa edhe Dermaku vjen në këtë grumbullim pas një paraqitje të shkëlqyer me Parmën në javën e fundit të Serie A. Ndërkohë, pas dëmtimit Reja do të ketë edhe shërbimet e kapitnit Elseid Hysaj. Mesfusha ka qenë një nga pikat më të forta në sfidat e fundit, por ky repart pasurohet me të rikthyerit Xhaka e Ndoj që i japin trajnerit më shumë alternativa.
Mungesa e madhe e njohur në sulm është ajo e Sokol Cikalleshit. Sërish jashtë edhe Sadiku, ndërsa përveç Roshit, Edi Reja do të ketë në dispozicion edhe një tjetër lojtar të shpejtë si Uzuni. Risia më e madhe është Florian Kamberi. Debutues me ngjyrat kuqezi, sulmuesi që luan me Hibernian ka fituar ftesën falë paraqitjeve të shkëlqyera me Hibernian në këtë sezon të kampionatit skocez.