Prej mbrëmjes së djeshme, 4 nëntor 2019, kulla Pirelli në Milano ka ndezur dritat dhe do të mbajë në fasadën e saj për dy ditë mbishkrimin “Free Alvin” (Lironi Alvinin).
Vogëlushi shqiptar, Alvin Berisha, ndodhet i bllokuar në një kamp të Sirisë. Ishte pikërisht emisioni investigativ italian “Le Iene”, që publikoi historinë e familjes së ndarë shqiptare, dhe që gjeti në kampin sirian vogëlushin Alvin, i cili me lot në sy kërkonte të largohej prej aty.
Italianët vijojnë t’i kushtojnë vëmendje kësaj çështjeje, teksa së fundi Këshilli Rajonal i Lombardisë ka ndërmarrë një iniciativë në ndihmë të 11-vjeçarit.
Këshilli Rajonal i Lombardisë nxiti qeverinë kombëtare të krijojë kontakte diplomatike me qeverinë shqiptare për lirimin e 11-vjeçarit.