Nga Dritan Shano
Ndjekja e strategjisë për të fituar, edhe kur nuk arrin të ketë sukses, të forcon mendjen e shpirtin – nga ajo përfiton ti, njerëzit e tu, shoqëria; krejt ndryshe, ndjekja e strategjisë për të përfituar, thuajse gjithnjë të le thatë dhe pa shtyllë kurrizore për t’u përballur me të ardhmen – nga kjo strategji përfitojnë vetëm pak vetë dhe humbin gjithë të tjerët.
Kur përpjekja e vetme është përfitimi, mossuksesi në të e hidhëron dhe helmon shpirtin dhe mendjen e njeriut, nxit urrejtjen, dhe e bën atë një lolo në ndjekje të njerëzve që kanë përfituar, ose shembullit të tyre si model suksesi – gratta e vinci.
Largimi nga mentaliteti i “gratta e vinci” në ekonomi, politikë, më së pari në familje, kopësht, shkollë, shoqëri është ndryshimi kulturor që na duhet, që Shqipëria të marrë për mbarë. Na duhet të fitojmë me këtë demon në kokat tona dhe kundër rezistencës së më të “pasurve” dhe më të “fuqishmëve”. Ndryshe, do hamë gjithnjë veten me dhëmbë, dhe do themi me kompetencë: nuk bëhet.
Ky ndryshim kulturor, i mentalitetit të shqiptarit të shekullit 21 duhet të fillojë në familje, në mësimin direkt apo të heshtur të sistemit të vlerave nga prindi tek fëmija. E nëse familja ende e dobët shqiptare nuk e bën këtë, atëhere këtë gur duhet ta shtyjnë lart intelektualët. Dhe nëse intelektualët thjesht vetëpëlqehen, apo janë pa këllqe, janë të shitur, janë “gratta e vinci” për vete, janë “si një torbë e zbrazët që kur e mbështet për muri, nuk rri dot në këmbë”, atëhere këtë punë duhet ta tërheqin partitë politike. Por edhe nëse programet, ofertat e tyre të zhvillimit nuk tregojnë rrugën dhe sakrificën që duhet kryer, por janë “Programe gratta e vinci”, atëhere na duhet të gjejmë një lider që e merr përsipër ta kryejë këtë ndryshim. Dhe nëse edhe lideri është “gratta e vinci” atëhere na duhet t’ja heqim fishën këtyre të gjithëve dhe të fillojmë nga e para.