Nga Ermal Mulosmani
Uriah Hip-i (Uriah Heep) është një nga personazhet më të paharrueshëm të historisë së letërsisë botërore. Ti mund të harrosh edhe Ivan Karamazovin, Hamletin apo David Koperfildin por do ta kesh shumë të vështirë të harrosh Uriahun. Përulja e përjargët deri në puthadorje, ndaj çdo lloj autoriteti sipëror, nënshtrimi i neveritshëm në sy të tij dhe paralelisht intrigat dhe planet djallëzore ndaj të njëjtit autoritet, pas krahëve, e bëjnë atë një kërmill që të zgjon veç neveri!
Uriah Hip-i ka mbetur në memorien e të gjithë lexuesve pasi secili prej nesh ka njohur një karkater që ka cilësi të përafërta me cilësitë e tij. Sigurisht, ne e teprojmë duke i dhënë epitetin “Uriahip”, për të theksuar karakterin intrigant. Por, nëse Dikensi do ta kishte njohur Erion Velinë, me siguri do të na kishte dhënë një karakter më interesant se Uriah Hipin. Një version modern të tij.
Dje një lajm lebetitës mori dhenë. “Heronjtë e Erdoganit”, ata që dhanë jetën në mbrojtje të tij kur u bë tentativa e grushtit të shtetit, qenkan nderuar me një përmendore! Një rrugë, nga më të bukurat e Kryeqytetit, në kodrat e gjelbëruara të Liqenit Artificial, merr emrin “Dëshmorët e 15 Korrikut” !
Ngjarja ka ndodhur me 15 Korrik, pra 25 ditë më parë. Një terr informativ e kishte mbuluar këtë manifestim madhështor, në mes të ditës, bash në zemër të Tiranës. Shikojeni videon që ka shpërndarë Ambasada Turke. Turma me flamuj dhjetëra metroshë, shqiptarë dhe turq, marshojnë drejt Kodrave të Liqenit. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës duket në video që përshëndet aktivitetin. Në sfond të tij lexohet “Fitorja e Demokracisë së 15 Korrikut -Tiranë, Shqipëri”. Në fytyrë i lexohet shqetësimi, turpi dhe padurimi për tu larguar…Ishte një nga detyrat më të vështira që ka kryer prej marrjes së detyrës….
Kazani i Kazhanit, media bashkiake me 47 punonjës nuk u gjend aty. Asnjë televizion për be, asnjë portal, asnjë gazetë. Asnjë status në FB. Bëhet fjalë për mediat shqiptare sigurisht. Ndërsa media kryesore turke, televizioni shtetëror turk TRT dha një kronikë për këtë ngjarje…
Kryeministri ishte larguar në rezidencën verore të Erdoganit në Marmara dhe e shijuan kronikën me verë të mirë.
Uriahu ynë që e kishte nisur Maznikun për të fshehur turpin e tij me urdhër të shefit të madh priste një telefonatë falenderimi. Telefonatë që nuk erdhi kurrë sigurisht! Sepse Urahu ynë aq meriton, indiferencë, urdhër dhe poshtërim!
Klikoni këtu për të shikuar videon.
Uriahu ynë është shumë ambicioz. Ambicia e tij manifestohet me shkallën e poshtërimit, është masa me të cilën ai mat shanset për sukses. Sa më shumë të poshtërohet, të pranojë poshtërimin e shefave, aq më i madh i duket kontributi. Shkalla e nënshtrimit e detyron shpesh të marrë kthesa të befta… Për shembull, të gjithë u kujtohet shprehja e Uriahut në vitin 2011 “Pështyrja e gishtave obezë të Ilir Metës….”. Ashtu i duhej shefit në atë kohë, ashtu bëri. Por më vonë, doli që kishte nevojë për gishtat “obezë” të Ilir Metës pasi përmes tyre miratohej kandidatura e Uriahut për Kryetar Bashkie. Duhej një nënshtrim i pashembullt publik dhe Uriahu vdes për të tillë, i ka në gen! Veç shiheni nivelin e puthadorjes në foto. Asnjë aktor që ka luajtur Uriahun në kinema nuk e ka arritur këtë përsomëri nënshtrimi! Ky është gjeniu “uriahipas” i kohës sonë.
Uriahu ynë ka edhe anën tjetër, arrogantin e pashembullt. Ai e urren përuljen ngaqë e njeh mirë vuajtjen që të shkakton netëve të gjata ëndërruese dhe pret ditën kur të shfaqet i papërulur. Ai përulet për sa kohë ia don ambicia. Dhe të vërsulet sapo ia arrin qëllimit.
Dhe këtu nuk e kam fjalën me arrogancën ndaj plakave të shkreta që shesin qepë dhe ky u mësyn me policinë bashkiake. Jo, sigurisht.
Uriahu ynë na urren të gjithëve ne që nuk kemi pushtet. Sapo mori karrigen e Kryetarit të Bashkisë ai mori një vendim që e maskoi si masë ndaj oligarkëve të ndërtimit. Vendosi ta dyfishojë taksën e ndërtimit nga 4% në 8 % të vlerës së ndërtimit. Përveç kësaj e donte paradhënie të gjithën përpara se të fillonte ndërtimi. Kjo bëri që ndërtuesit, për forcë zakoni të rrisnin çmimet e ndërtimit me përafërsisht me 16% . Do fitonin edhe ata një 8% se nuk u bë qameti… Të përulurit e mëdhenj do ta hanë, blerësit. Sot ky zë është zëri kryesor i të ardhurave të Bashkisë me 21 milion Euro në vit.
Uriahu ynë një ditë zbriti në supermarkete dhe tha që duhet të ulim konsumin e qeseve se po na dëmtojmë ambientin. Për këtë do ti bëjmë qeset me lekë. Shkoi Uriahu vetë në market me traste në dorë. Njerëzit nga urrejtja që kanë për Uriahun filluan të urrejnë trastat. Vazhduan t’i blejnë qeset me të njëjtin ritëm. Kur e pa Uriahu që ky popull mban e rriti çmimin e qeseve. Fillimisht ishte 3 dhe 5 lekë. Sot janë 5 dhe 10 lekë…Po sa është afërsisht konsumi i qeseve? Sipas Zv Ministres së Mjedisit, në Shqipëri konsumohen 5.6 milion qese në ditë. Tirana sigurisht i bie të konsumojë më shumë se 2 milion me këtë logjikë (1 milion banorë). Në 365 ditë i bie mbi 730 milion qese. Por le të themi që jo të gjitha qeset paguhen, supozojmë që vetëm 50% e tyre, pra 360 milion blihen. Që i bie rreth 1.8 miliard lekë ose rreth 15 milion Euro. Pra, Uriahu, në emër të mbrojtjes së mjedisit na i merr nga xhepi edhe 15 milion Euro nga qeset. Në mos 15 merr 10 ose 9. Por llogaritë i bëra sipas zv. Ministres së Mjedisit Ornela Çuçi.
Uriahu del çdo ditë në Televizor. Nuk ka nevojë për të thirrë kamera, i ka vetë të gjitha. Kameramanë, montazhierë, gazetarë, grafistë, dronistë, karelistë, kranistë. Më shumë se një televizion mesatar shqiptar. Ka edhe Kazanin e Kazhanit që na jep info për çdo pemë e çdo klloun që i bashkohet Uriahut në iniciativën pemëmbjellëse. Por të gjithë humbasin kur mbillen pallate që të zënë frymën. Shihini fotot më poshtë. Një pallat i ri po ndërtohet vetëm 2 m larg pallatit ekzistues. Ky i fundit ka edhe ballkone me shpresën se do dalë ndonjë ditë. Por jo, ai është i destinuar për tu shtypë nga Uriahu ynë. Vetëm një shteg dhish i len hapësirë për t’u futë në pallat. Pa çka se banori i ngratë e zgjodhi pallatin në një zonë shumë periferike të Tiranës, larg, në një kodër me ullinj, zogj, cicërima e qetësi. Jo mor jo, Uriahu të sjell vinça, zhurmë, fadroma, pluhur e oligarkë që ta prishin gjumin e të shkatërrojnë jetën.