Dëshmi të mizorive greke ndaj shqiptarëve në vitin 1944
Nga Veli Haklaj
Në vijim të këtij punimi, do të publikojmë për lexuesin e gazetës “Mapo” disa dokumente arkivore me rëndësi nga fondi i Arkivit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, në të cilat përcillen dëshmi autentike për gjenocidin e ushtruar ndaj popullsisë shqiptare të Çamërisë, gjatë vitit 1944.
Dëshmi të Komunitetit Mysliman Shqiptar
Në përpjekje për të sensibilizuar autoritetet e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Hafiz Sherif Langu, i drejtoi presidentit të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, në Bernë, këtë telegram:
“Ngjarjet e luftës së tashme dhe pasojat e saj tragjike mbi popullin shqiptar më kanë shtyrë t’i drejtohem, me cilësinë time si kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Institutit të kryesuem prej zotnisë Tuaj, me lutjen që të keni mirësinë t’ua njoftoni përmbajtjen e këtij telegrami autoriteteve kompetente aleate, qendrave të Gjysmëhënës së Kuqe Turke, Egjiptiane, Persiane, Irakiane dhe Indiane si dhe Komitetit Panarab.
Dy ngjarje tragjike e kanë tronditur në kohët e fundit vendin tonë:
1) Bombardimi tragjik i Pejës shkaktoi më 13 gusht 1944 një numër të madh viktimash, të cilat, simbas vërtetimeve më të fundit, arrijnë në tremijë të vrarë dhe disa mijëra të plagosur, midis popullsisë myslimane shqiptare, e cila ka qenë vetëm ajo e goditur, mbasi ajrorët aleatë kanë synuar vetëm lagjet myslimane.
2) Masakra janë kryer në Çamëri prej çetave të armatosura greke të Zervës, të cilat e kanë grirë në kohët e fundit popullsinë civile shqiptare të Paramithisë dhe të krahinave fqinje. Disa qindra shqiptarë myslimanë, ndër të cilët myftiu i Paramithisë dhe shumë nga parija, janë masakruar pa mëshirë me këtë rast. Shumë katunde e xhami janë plaçkitur e djegur dhe popullsia civile, e tmerruar nga rreziku i çetave të armatosura të Zervës, ka lënë krejt vendin. Afro njëzetë mijë refugjatë kanë kaluar kështu lumin Kalama dhe kanë ardhur përkëndej për të kërkuar mbrojtje duke vuajtur tash nga mungesa e ushqimeve e të tjerave sende të nevojës së parë.
Nxitoj t’Ju shpreh me këtë rast falënderimet dhe ndjenjat e mirënjohjes së Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe të mijat personale për ndihmat e para që Kryqi i Kuq Ndërkombëtar pati mirësinë t’i japë kësaj popullsie”.
Përpjekje të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar për të ndihmuar shqiptarët
Përfaqësuesi i C.R.I për Epirin, A. Lambert, më 17 gusht 1944, i drejtoi një letër Komisionit të Përfaqësuesve Myslimanë të Çamërisë, ku evidenton:
“Sot mora një letër nga ana e Gjeneral Zervas. Shënon faktin se deri sa myslimanët e Çamërisë ishin grumbulluar në katër katunde të Nënprefekturës së Filatit, tashti pa arsye kalojnë në tokë shqiptare pa pritur përgjigjen e kërkesës që na bëtë e për këtë bëjnë gabim të madh.
Nga njëra anë krijohet një situatë e cila e detyron të marrë masa për sigurinë ushtarake dhe administrative n’objekt duke u përfshirë ndoshta edhe ato katunde të abandonuara dhe nga ana tjetër, simbas mendimit tim, kjo përbën një rrezik të madh për popullatën e Çamërisë e cila është përmbledhur në rrugën Filat – Konispol nga bombardimet.”.
Duke shprehur gatishmërinë e tij për të qenë gjithmonë në dispozicionin e Komisonit të Përfaqësuesve Myslimanë të Çamërisë, A. Lambert përsërit atë që u kishte thënë dhe më parë se ndërhyrja e tij ishte “kryekëput jo zyrtare”. Ai thekson se nuk mund të jepte “asnjë ndihmë për popullatën e cila dëshiron të shkojë në Shqipëri edhe sikur të gjitha pjesët e interesuara të jenë dakord”.
Në fund të letrës, Lambert i vë në dijeni se u kishte dërguar ndihma farmaceutike dhe se me ushqime do t’u dërgonte automobilat në çastin kur të jepej leja.
Promemorie e çamëve me banim në Tiranë
Pas valës së parë të spastrimeve të shqiptarëve çamë nga bandat e Zervas, një përfaqësi e çamëve me banim në kryeqytet, më 23 gusht 1944, i drejtoi një promemorie kryetarit të Qeverisë Shqiptare (Fiqri Dines), në të cilën jepet një informacion i hollësishëm mbi gjendjen e Çamërisë dhe të çamëve.
Promemorie
Për Shkëlqesën Kryetarin e Qeverisë
Mbi gjendjen e Çamërisë dhe të çamëve
Lajmet që po vijnë nga Çamëria martire, ende nën sundimin grek, po e paraqesin gjendjen e vendit dhe të popullsisë shqiptare me gjithë kuptimin e fjalës tragjike.
Popullsia e Çamërisë, e dënuar prej padrejtësisë së të mëdhenjëve që të vuajë larg gjirit të Shtetit Shqiptar, qysh prej 30 e ca vjetësh, me sjelljen e saj të urtë dhe të matur, ka ditur ta tërhjekë jetën e saj nën mizerjen më të madhe ekonomike, politike e shoqërore pa i dhënë sundonjësit asnjë shkak dhe arsye, aq sa të duket popullsia më e bindur e ish-Mbretërisë Helenike.
Edhe me rastin e luftës italo-greke dhe në vijim me pushtimin e Greqisë prej fuqive italiane, sado që dukej rast i mirë për çamët të shpaguanin edhe ata sado pak vuajtjet që kishin në të kaluarën popullsitë shqiptare çame, përkundrazi kanë mbajtur një sjellje shëmbullore dhe është kujdesur që të mos u prekë grekëve as subsesibilitetin dhe, jo vetëm, por popullsitë greke i ka trajtuar në përgjithësi si vëllezër. Jo njëherë personalitete greke kanë patur rastin ta lavdërojnë këtë qëndrim çam gjatë pushtimit të Çamërisë dhe të Epirit përgjithësisht prej ushtrive italiane.
Edhe me vonë, gjatë konflikteve të brendshme partizanije midis grekëve, popullsia shqiptare e Çamërisë, në vijim të këtij qëndrimi të saj dhe të shpirtmadhësisë që ka pas tregue gjatë çasteve më kritike greke kundrejt pikërisht edhe përgjithësisht popullsisë greke, shpresonte se grekët, pavarësisht nga parimet e tyre politike, do të njihnin të mirën dhe në mos tjetër të paktën do t’i respektonin popullsisë shqiptare jetën dhe të drejtën të jetonin në shtëpitë e tyre dhe me familjet e tyre.
Por dolën të gënjyer! Sepse grekët, si gjithnjë mosmirënjohës dhe gjithnjë barbarë, filluen përsëri nga taktika e tyre e zhdukjes dhe shfarosjes së popullsisë shqiptare të Çamërisë. Popullsia shqiptare e Çamërisë po thirret edhe njëherë sot të ulë kryet para një fati më tragjik!
Kohët e fundit, Çamëria e Jugut dhe e Qendrës u sulmua prej fuqive shoviniste të Gjeneralit Zervas dhe sado që nuk sollën asnjë kundërshtim, sado që edhe kësaj here po mbeteshin asnjanës dhe spektatorë të huaj, çamët martirë u masakruan prej fuqive zerviste. Krejt krahinat e Margëllëçit, të Parmithisë dhe Gumenicës u dogjën dhe u masakruan prej andartëve të Zervasit. Përmbi 5 000 familje, duke lënë mall e katandi, morën rrugën e ikjes dhe të tmerruar kërkuan shpëtimin në krahinën në veri të lumit Kalamas. Andartët e Zervasit, të etur për gjak shqiptari të pafajshëm, pa dallim vranë dhe masakruan burra, gra dhe fëmijë ende. Ju vënë zjarrin katundeve duke mos respektuar as faltoret e Zotit. Në Margëllëç dogjën katër xhami. Në Paramithi kanë therur më se 160 vetë dhe kanë tërhequr nëpër burgje një numër të konsiderueshëm grash dhe vajzash të reja, të cilat i nënshtrojnë në torturat më çnjerëzore dhe në turpet më shtazore.
Katundet e anëdetit Arpice, Vole, Grop e Kuçit, Luarat, Mazrek, Smokovina, Vrastove, Grigohuar, Mininë, Njohuar, Narfanjë etj. janë shkretuar. Shumica e burrave janë therur egërsisht dhe kush shpëtoj me shpirtin në dhëmbë ka kërkuar strehë dhe shpëtim në krahinë drejt Shqipërisë dhe në Delvinë, Konispol etj. Shumë familje kanë arritur në Korçë, një numër në Lushnje dhe disa edhe në kryeqytet.
Shumica e familjeve, përmbi 20 000 frymë, nga vendet në jug të lumit Kalams, janë shpërngulur dhe vetëm me këmishën e shtatit janë refugjuar në veri të këtij lumi, për t’u hedhur në kufijtë e Shqipërisë sepse është e sigurtë se grekët do ta kapërcejnë lumin, për t’i ndjekur dhe masakruar edhe shqiptarët e këtyre viseve. Grekët e kanë si kryepikë të programit të tyre shfarosjen e shqiptarëve të Çamërisë, politikë nga ana tjetër që siç dihet e kanë filluar qysh prej 1912-ës dhe e kanë zbatuar gjer më sot.
Rrethanat e vështira që po kalon Shteti Shqiptar natyrisht nuk i lejojnë këtij që të marrë masa energjike për mbrojtjen e vatrës shqiptare në Çamëri dhe dashur padashur jemi të shtrënguar të qëndrojmë sot për sot spektator me zemër të copëtuar para tragjedisë që po zhvillohet në kurriz të popullsive shqiptare të Çamërisë.
Por shteti shqiptar duhet ta ngrejë lart zërin e tij të protestës kundër barbarizmave greke. Kjo, përveç është një nga detyrat themelore të Shtetit Shqiptar, por do të jetë edhe një ngushëllim dhe një shpresë e madhe për atë popullsi faji i vetëm i të cilës është se kanë qëndruar shqiptar dhe nuk kanë mohuar gjakun dhe gjuhën e tyre.
Shteti shqiptar, në mos tjetër dhe gjersa ka kohë, para se ato popullsi të shkojnë të gjitha, me gra e fëmijë nga thika e andartëve grekë, duhet të interesohet për shpërnguljen e tyre brenda kufijve të Shtetit, duke ngarkuar për këtë gjë Kryqin e Kuq Shqiptar dhe duke kërkuar edhe ndihmën e gjermanëve.
Të caktohen vende përqendrimi të familjes çame, në mënyrë që nga një anë ndihma imediate që duhet t’u jepet të mund t’u jepet dhe nga ana tjetër të krijohen kushtet e instalimit të tyre brenda në Shtetin Shqiptar, gjersa shpresat për të rikrijuar vatrat e tyre në tokat e të parëve të tyre, thuajse janë zhdukur. Do të propozonim që nga tokat e Shtetit, sidomos në tokat e Lushnjës, ose edhe gjetiu, të caktoheshin për instalimin e çamëve, të cilët e kanë provuar se e kanë zotësinë të ngrenë vatrën e tyre dhe të bëhen produktiv brenda pak kohe.
Qeveria duhet të mendohet për strehimin, qoftë edhe provizor, të çamëve në Lushnje, Fier, Berat e gjetiu. Të gjejë mënyrën për t’ju dhënë një ndihmë imediate familjeve çame që kanë refugjuar në tokat e Shqipërisë, duke urdhëruar përkatësisht Komitetet dhe autoritetet lokale të Shtetit.
T’i kërkohet Kryqit të Kuq Ndërkombëtar në Greqi, me anën e Kryqit të Kuq Shqiptar, që t’i marrë në mbrojtje edhe popullsitë shqiptare të Çamërisë dhe në âsht e mundur të bëhen përçapjet e duhura diplomatike për mbrojtjen e jetës të paktën të çamëve.
Nga ana e çamëve me qëndrim në Tiranë, Qeveria do të ketë çdo përkrahje. Çamët janë gati për çdo mision dhe shërbim që mund t’ju ngarkojë Qeveria dhe janë gati për çdo sakrificë.
Shkëlqesë,
Në personin e Shkëlqësisë Tuaj, populli shqiptar sheh mishërimin e patriotizmës dhe sintezën e virtyteve shqiptare. Çamët tek Ju shohin më shumë se çdo shqiptar tjetër Burrin e vendimeve dhe të veprimit.
Me zemër të copëtuar nga tragjedia dhe kobi që ka pllakosur vëllezërit dhe tokat e tyre, po Ju bëjmë apelin më të madh, sepse është një çështje kombëtare.
Të sigurt se qeveria do të bëjë çdo gjë që i vjen për dore për t’u ardhur në ndihmë çamëve martirë, presim me padurim që Qeveria t’iu japë rastin çamëve për ta treguar mirënjohjen e tyre ndaj Shtetit Shqiptar edhe me sakrificën e tyre më supreme.
Tiranë, më 23 gusht 1944.
Me nderime të shquara
Në emër të çamëve me banim në kryeqytet
(nuk ka të nënshkruar)
Komunikatë e Agjencisë Telegrafike Shqiptare
Më 26 gusht 1944, vetëm tre ditë pas memorandumit të përfaqësuesve të çamëve me banim në kryeqytet, do vinte dhe reagimi i Qeverisë Shqiptare me anë të Agjencisë Telegrafike Shqiptare, e cila publikoi një komunikatë ku theksonte:
Në rrethanat e turbullta që kalojmë, në këtë moment kaq të vështirë për mbarë kombin shqiptar të cilit i kërcënohen kaq rreziqe, ngjarje tragjike janë zhvilluar në Çamëri, ngjarje të cilat na provojnë edhe një herë se sa i madh është rreziku që i turret vendit tonë nga fqinjët tanë ballkanikë të panginjur me gjak shqiptari. Pas Luftës Ballkanike dhe pas shkatërrimit të krahinave të Jugut më 1914 nga andartët dhe nga terroristët grekë në shërbim të Idesë së Madhe helenike, shpresonim se një periudhë e re paqeje dhe besimi reciprok midis popullit shqiptar dhe popullit grek kishte lindur dhe se nuk do të turbullohej më. Vullneti i mirë nga ana e jonë nuk mungoi kurrë dhe nga ana e grekëve patëm prova të dashamirësisë së tyre. Një frymë miqësie kishte filluar t’i zbuste marrëdhëniet tona me grekët dhe përpara rreziqeve që i turreshin botës në pragun e luftës së tashme, Shqipëria dhe Greqia kishin dhënë provat më të mira për një politikë paqedashëse dhe dukesh se nuk kishin llogari të varura për të likuiduar. Rrethanat ndërkombëtare të turbullta këtë miqësi e forcuan edhe më tepër dhe popullsia e Çamërisë së mbetur në Greqi jetonte në paqe ashtu si pakicat greke në Shqipërinë e Jugut gëzonin të drejtat e tyre që u ishin siguruar plotësisht. Edhe gjatë kësaj lufte shqiptarët e Çamërisë qëndruan të qetë dhe krejt të paanshëm përkundrejt rrymave politike dhe ideologjike që përpiqeshin të turbullonin gjendjen e tyre.
Shpresonim me plot besim se sistemet çnjerëzore të Luftës Ballkanike për të shfarosur fisin shqiptar kishin marrë fund një herë e përgjithmonë dhe se nuk do të përsëriteshin më, të paktën nga ana e grekëve. Mjerisht lajmet që vijnë nga Çamëria na detyrojnë të heqim dorë nga një optimizëm pa vend, sepse re të zeza kanë përshkruar horizontin e atjeshëm: çetat nacinaliste greke të Zervas kanë hyrë në Paramithi dhe me ndërmjetësimin e dhespotit të qytetit e siguruan një herë popullsinë se nuk do t’i bënin asnjë të keqe. Porse pak orë më vonë e tradhëtuan fjalën e dhënë dhe, si i çarmatosën ata pak shqiptarë që kishin ndonjë pushkë për t’u mbrojtur, filluan ta grijnë dhe ta shfarosin parinë e vendit me sistemet e zakonshme të andartëve grekë. Grupi i parë që u masakrua kështu përbëhej prej myftiut të Paramithisë, Hasan Abdullah, dhe prej gjashtë vetësh të tjerë të parisë. Të tjerë burra të vendit u kapën dhe u masakruan pa mëshirë, pasi i ndanë dhe u morën në dorëzim nga terroristët e Zervës, të cilët nga sa dihet deri më tash kanë grirë me këtë rast afro njëqind e njëzetë shqiptarë të Paramithisë. Gra vajza e fëmijë janë burgosur, keqpërdorur dhe shnderuar.
Tmerri i shkaktuar nga këto vepra çnjerëzore e ka detyruar krejt popullsinë shqiptare përtej lumit Kalama të shpërngulet dhe të vijë përkendej.
Pjesa më e madhe, afro 20 000 frymë, janë grumbulluar tash si mos më keq në Filat, ku me vështirësi të mëdha Kryqi i Kuq Ndërkombëtar ka mundur t’u japë një ndihmë të parë. Pesë familje të katundit Karbunarë të Paramithisë, që nuk kishin mundur të largoheshin në kohë, u masakruan gjithashtu prej zervistave. Dy gra dhe një burrë janë masakruar në Margëllëç.
Dëmet materiale janë të mëdha, sepse refugjatët çamë kanë lënë vatrat e tyre dhe gjithë pasurinë pa mundur të marrin asgjë. Disa katunde e xhami janë djegur: në Margëllëç vetëm janë djegur katër xhami. Katundet e anëdetit Arpice, Vole, Grop e Kuçit, Luarat, Mazrek, Smokovina, Vrastova, Grikohor, Minine, Njohuar, Narfenje janë shkretuar krejt, ndërsa një pjesë e banorëve të tyre janë shfarosur egërsisht. Rrënime këto që na bëjnë të vajtojmë dhe që na vinë aq të papritura sa na duken të pabesueshme. Por mjerisht janë realiteti i hidhur.
Nuk duam t’ia ngarkojmë përgjegjësinë e këtyre rrënimeve kurkujt veçse atyre që i kanë kryer këto vepra çnjerëzore me duart e tyre. Nuk mund t’ia hedhim përgjegjësinë as qeverisë së Athinës, as qeverisë greke të mërguar, porse e ndjejmë për detyrë t’i drejtojmë një thirrje gjithë grekëve, kudo që ndodhen, që të tilla vepra të marrin fund një herë e përgjithmonë, sepse nuk janë në të mirën as të vendit tonë, po as edhe të vendit të tyre.
E kemi shikuar Greqinë kurdoherë si djepin e qytetërimit dhe kemi pritur prej saj dritë e dituri. Terrorizmi i papritur i zervistave në Çamëri na ka habitur për së tepërmi dhe besojmë se çdo grek i mirë do t’i përbuzë këto vepra çnjerëzore që përbëjnë një njollë të zezë në marrëdhëniet e të dy vendeve dhe që na kthejnë shumë mbrapsht./mapo/