Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, ka reaguar për shifrat kontradiktore të publikuara nga Komisionin Qendror i Zgjedhjeve në lidhje me votimet monopartiake të 30 qershorit.
Përmes një postimi në Facebook, Bylykbashi shprehet se KQZ ka humbur funksionin e tij parësor duke u shndërruar në një “tenxhere”, që shërben për të zier pilaf.
“KQZ si tenxhere për të zier pilaf. Doli KQZ dhe deklaroi sot, me një tis funebër, se në votimet e Ramës paskan votuar 812 mijë votues. Të dielën në darke deklaroi se kishin votuar 772 mijë votues. E kishte shtuar me vetëm 40 mijë zgjedhës. Kjo shtesë më kujtoi gjyshen time kur isha fëmije që preferonte orizin bullgar më shumë se atë të vendit sepse shtonte më shumë volum kur bëhej pilaf. Ja ku kanë përfunduar katër militantet e PS në KQZ, në kuzhinierë pilafi për drekën e vakisë së Ramës. E mbajnë mbyllur KQZ-në dhe nuk japin asnjë shifër në kohë reale siç jepej dikur, qoftë edhe para dy vjetësh, kur rezultatet transmetoheshin të detajuara në kohë reale. Kësaj radhe sistemet elektronike të transmetimit dhe publikimit të të dhënave i kanë fikur ose nuk i kanë vënë fare në punë sepse transaprenca nxjerr në shesh ç’po gatuajnë. Me pak fjalë, i kanë vënë kapak tenxheres me emër KQZ që të ziejë mirë pilafi. Tashmë të gjithë e dinë që vetëm 15 % i shkuan në votimet farse dhe 85 % e shqiptareve ia refuzuan 30 qershorin. Të gjithë i kanë parë qendrat e votimit ku nuk hynte këmbë njeriu për orë të tëra, por ndërkohë KQZ rriste shifrat e pjesmarrjes. Dhe meqë në 2015 votuan 48 %, Rama dha urdhër që ta çonin pjesmarrjen sa gjysma. Në mbremjen e 30 qershorit, edhe pse shifra e vetë KQZ-së tregonte 21 %, publikisht deklaruan 24 %, fiks sa gjysma e 2015. Por Rama e kuptoi që po i derdhej uji i pilafit që vlonte dhe e uli pak zjarrin. Sot deklaruan 22%, ama katër kuzhinierët me përparëse zhul në KQZ ia kanë shtuar plot 7 % volumin e këtyre zgjedhjeve që i bënë pilaf. Rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk ishte rezultati për partitë por pjesmarrja. Rama këtë pjatë i ka porositur kuzhinës së KQZ. Nuk thonë kot: një rezultat i vonuar është rezultat i gatuar”, shkruan Bylykbashi.