Pas publikimit të video përgjimeve të gazetës Bild, ka reaguar kryeprokurorja e krimeve të Rënda, Donika Prela ku tha se është duke u hetuar për të zbuluar njerëzit që i kanë nxjerrë këto përgjimet.
Me një njoftim për media, Prela ankohet se bërja publike e përgjimeve ka prishur imazhin e prokurorisë.
Deklarata e plotë:
Prokuroria pranë Gjykatës Shkallës Parë për Krime të Rënda Tiranë
Tiranë, më datë 17.06.2019
NJOFTIM
Nisur nga publikimet audio të bëra sot më datë 17.06.2019 në gazetën gjermane Bild, Prokuroria e Krimeve të Rënda njofton se ka filluar veprimet hetimore për verifikimin e elementëve të veprës penale të “Zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete” të parashikuar nga neni 295/a i K.Penal.
Po bëhet verifikimi me shpejtësi i të gjitha akteve hetimore dhe të CD-ve të përgjimeve me qëllim verifikimin e autenticitetit të audiove të publikuara.
Prokuroria e Krimeve të Rënda deklaron, se po ndjek me kujdes situatën e paprecedent të krijuar që ka cënuar rëndë imazhin e Prokurorisë Shqiptare dhe që është kryer në shkelje flagrante të ligjit.
DREJTUESI I PROKURORISË
DONIKA PRELA