Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha për gati dy orë ka qëndruar në krye të protestuesve që kanë bllokuar rrugën në rrethrotullimin e Bradasheshit, në Elbasan.
Gjatë fjalës së tij, Basha ka shprehur mirënjohjen për mijëra qytetarët që i janë bashkuar protestës së opozitës në 12 akse kryesore rrugore në vend.
Kreu i opozitës tha se Ramën nuk ka forcë në tokë që e shpëton, derisa të vuloset fati i kufomës politike të organizatës kriminale të Rilindjes.
Basha i bëri thirrje edhe “miqve europianë” të mos rikthejnë vizat me Shqipërinë, pasi siç tha ai i vetmi përgjegjës kriminalitetin është Edi Rama.
“Në Bradashesh dhe në 12 pika të tjera nevralgjike për të treguar se nuk ka asnjë hap pas në betejën tonë. “Rama ik!”. Mirënjohje të veçantë dua t’i shpreh sot mijëra automobilistëve të cilët janë bashkuar me protestën tonë. E gjithë Shqipëria e bashkuar sot me mesazhin Rama ik. Shkaktari i krizës totale të Shqipërisë, njeriu që ia mbylli përsëri dyert Europës, ka bërë në këto gjashtë vite zullume dhe krime. Rinia jeton sott kohët më të pasigurta, dhe detyrohen të largohen sepse nuk gjejnë shpresë, nuk gjejnë qetësi. Ne jemi këtu të vetëdijësuar se nëna e të këqijave është vjedhja e votës nga Edi Rama. Sot është e qartë, për të djathtë dhe për të majtë, se me Edi Ramën nuk do të ketë siguri, zhvillim, punësim, Europë. Me Edi Ramën, Shqipëria po përjeton ditët e saj më të zeza. Ne jemi mbledhur këtu për të vulosur fatin e kufomës politike të organizatës kriminale të Rilindjes.
Nuk ka forcë në tokë që e shpëton, Rama ik! Ne jemi sot në këtë betejë për të çelur së bashku ditën e re të shpresës për Shqipërinë. Shpresën dhe besimin te një e nesërme ndryshe. Në këtë vend që nuk i mungon asnjë resurs, por që mungon ligji, kushtetuta dhe mbi të gjitha një qeveri e dalë nga votat e qytetarëve. Kjo betejë që kemi nisur së bashku ka transformuar në mënyrë themelore Shqipërinë. Po ju jap fjalën se jemi bashkë, jo për një rotacion politik, por për t’i dhënë fund tranzicionit të tejzgjatur në Shqipëri dhe për të hapur derën e Europës.
Sot iu drejtohem miqve tanë Europianë, dhe iu them, mos ndëshkoni popullin tim. Mos hiqni vizat, ne do t’ia heqim vizën Edi Ramës. Mirënjohje e thellë për gjithçka që keni bërë këto ditë, beteja vazhdon. Më 30 qershor ne nuk do lejojmë farsë zgjedhore, zgjedhje pa opozitën nuk do të ketë.”-shprehet Basha.