Nga Ilir Hoxholli
E kuptoj që shumë hallkave në vendin tonë mund t’iu shmangesh, por doja të dija, ky tregtari që merr miellin e skaduar, ky fermeri që nuk le helme pa futur, ky blegtori, ky e ky prej duarve të cilëve ne u besojmë jetën, që ushqehemi, pse po na vret o vlla, o motër pse po më vret…? Ç’të kam bërë? Po fëmijët e mi ç’të kanë bërë, ne të duam, vijmë tek ti që ti të fitosh, të rrisësh fëmijet e tu, por si të bën zemra e të më vrasësh fëmijët? Si vllai im? Si motra ime?
Ti nuk i ke parë se sa buzëqeshin dhe gëzojnë fëmijët, kur ushqehen me produktet e tua, ata nuk e dinë se ti u ke përgatitur vdekjen. Ata nuk e dinë se ti për pak fitim më shumë nuk pyet për jetën e tyre. E di që mund t’u shpëtosh çdo kontrolli, por ki frikë Zotin, se ai shikon çdo hap tëndin. A mendon se do ta shijosh atë pasuri? Ndaj mos i mallko fëmijët e tu duke helmuar fëmijët e të tjerëve.
Çdo ditë po na merrni njerëzit e afërm, nga kanceri, çdo ditë po dëgjojmë për miq e shokë që po na i largoni prej nesh. Pashë të madhin Zot, tregoni që jeni njerëz e boll na vratë ne dhe fëmijët…