Nga Frrok Çupi
Më erdhi të shkruaj foljen “rilind” anti- amerikanizmi, por e di se idiotët çdo fjalë “Rilindje” e konsiderojnë reaksionare si në vitet pas Luftës së Dytë; ndoshta edhe Leonardo Da Vincin mund ta konsideronin të tillë… Por definicioni “‘rivjen” fluksi politik anti- amerikan” më duket se është i saktë për të thënë atë që ndodhi një herë në historinë tonë dhe që tani rivjen pasi hyri nën rërë për një periudhë tre dekada.
Gati gjysma e politikës parlamentare është vendosur në pozita “anti- amerikane”. 43 deputetë të PD dhe 15 deputetë të LSI ( njëra parti e vetëshpallur djathtiste dhe e dyta e majtë ekstreme) kanë dorëzuar mandatet e popullit, duke sfiduar këshillën e Shteteve të Bashkuara. Uashingtoni u bëri thirrje depoutetëve individualisht që të sfidojnë kërcënimet e PD dhe LSI dhe të mbajnë portofolat që u ka dhënë populli në Demokraci; por ata nuk përfillën. Pas “fitores” kundër Perëndimit, kryetari i PD iu përgjigjet gazetarëve: “Perëndimi? As më intereson!”. Ndërsa kryetarja e LSI ka deklaruar në sy të të dërguarve perëndimorë se “ne e kemi marrë vendimin, nuk presim gjë prej jush”.
Perëndimi tani ndodhet në “shock”, deri më sot të gjitha partitë politike ndodheshin në pozita pro- perëndimore; sot e tutje është ndarë gati gjysma në anën tjetër. Shtetet e Bashkuara është tërhequr në një “goditje” të fortë që mori nga “bijtë” e vet në Shqipëri. Shtetet e Bashkuara, prej dekadash rrit politikanë të epokës post- komuniste në Shqipëri, u japin garanci për paqen dhe stabilitetin e vendit, u qartësojnë rrugën nga duket e ardhmja perëndimore. Në qendër të Tiranës është ngritur monumenti i presidentit Willson, është inauguruar rruga ‘George Bush’, por të gjitha simbolet po dëshmohen si një “fasadë” hipokrizie ndaj Shteteve të Bashkuara. Hera e parë në historinë post- diktaturë, kur në demonstrata politike nuk duket flamuri Amerikan, janë dy demonstratat e fundit të opozitës kur politika inauguroi dhunën dhe qëndrimin e ri “anti- amerikanist’”.
Anti- amerikanizmi duket sikur ishte fshehur në rërë, por nuk ishte fshirë nga zemra e politikës pas viteve ’90. Në të dy epokat, anti- amerikanizmi u ngul në Parlament. Në vitin 1947, 23 deputetë të Parlamentit të parë shqiptar, u dënuan, 16 prej të cilëve me vdekje dhe të tjerët me burgime të gjata ose të përjetshme. Kishin vetëm një vit që kishin nisur jetën parlamentare. Dënimi i rëndë dhe shnjerëzor erdhi pasi diktatori vuri shpatën mbi të gjithë të dyshuarit si pro- perëndimorë që mund t’i rrezikonin pushtetin.
Çarja kësaj here mes “pro” dhe anti- amerikanizmit politik, njësoj si në vitin 1947, u shfaq po në Parlament. 43 deputetë janë instaluar në qëndrimin: “nuk duam t’ia dimë nëse ka Evropë dhe Amerikë’. Në të dy rastet pika e takimit është “pushteti”. Diktatori Hoxha nuk pyeste për asgjë para pushtetit të tij, që rrezikohej nga pro- amerikanizmi. Dhe kësaj here, përsëri pushteti, veçse një vullnet për të djegur gjithçka nga partitë që nuk fitojnë dot pushtet me votë.
Ndryshimi i madh qëndron në anësitë politike:
Ndërsa gjatë gjithë periudhës së komunizmit, qëndrimi anti- amerikan u kthye në ‘tabu’ dhe provë diktature nga Partia Komuniste e majtë ekstreme, këtë herë në pozitat anti- amrikane u vendos partia Demokratike që lindi si shpresë e shqiptarëve për t’u afruar me aleatët e mëdhenj e të mohuar Evropë dhe Amerikë. Pas tre dekada, Partia Demokratike e studentëve dhe intelektualëve të parë që aspironin Perëndimin, mori drejtimin kundër Evropës dhe Shteteve të Bashkuara. Ajo tashmë është e vendosur të qëndrojë në këto pozita derisa Amerika ta kojë me pushtet. Por a ndodh kjo?… Kurrë.
E djathta e atëhershme ka humbur orientimin dhe krahët; tani është më shumë e majtë e vjetër revolucionare që kërkon pushtetin me dhunë dhe funksionon me shtresat e ulëta e injorante të shoqërisë. Nuk ka më gjurmë se ka qenë PD një parti euro- atlantike, sa ka qenë islamike dhe sa vizionare.
Ndërsa e majta aktuale e ardhur nga e majta tradicionale shqiptare e komunizmit, ndodhet në pozita nën goditjet me të gjitha mjetet të forcave rishtas anti- amerikaniste, që pret këshillën dhe ndihmën e Shteteve të Bashkuara për zgjidhjen e krizave të stabilitetit që mund të kaplojë rajonin pas ri ardhjes së fluksit anti- amerikan politik.
Forcat rishtas anti- perëndimore shpresojnë se do të rrethohen nga një elektorat anti- euroatlantik në kombin më pro- amerikan të kontinentit…