Imagjinoni pastaj sikur mbi bazën e kësaj gjetjeje ata të përpiqen të ndërtojnë historinë e Shqipërisë për këtë periudhë. Përfundimet ku do të arrinin me shumë gjasa, do të ishin pak a shumë si më poshtë: Shqipëria e vitit 2016 paska qenënjë vend ku zhvillohej një përplasje e ashpër me përmasa biblike mes të mirës dhe të keqes. Ku pakënaqësia kish arritur kulmin, aq sa vendi ndodhej në prag të një kryengritje popullore. E keqja në pushtet përfaqësohej nga një kastë që pasi ka bërë çmos të vjedhë e të çojë në vetëvrasje sa më shumë shqiptarë, iu qe vërsulur institucioneve e Kushtetutës. Përballë kësaj të lige qëndronte e palëkundur e mira, Partia Demokratike, e cila përfaqësonte dritën në fund të tunelit, shpresën e fundit për popullin, institucionet, ligjin dhe Kushtetutën.
A s’është pikërisht kjo narrativa mbi të cilin e ka ngritur Partia Demokratike qëndrimin dhe luftën e saj politike që prej rënies së saj nga pushteti, në vitin 2013? Sigurisht që këtu është me vend të shtrohet pyetja: deri në ç’pikë i beson vetë Partia Demokratike një narrative të tillë apokaliptike? Por, sidoqoftë, rëndësi ka që, sado naiv e fëminor mund të duket, ky është thelbi i mesazhit që marrin shqiptarët çdo ditë nga selia blu. Ky është thelbi i çdo fjalimi, çdo deklarate, çdo editoriali, çdo postimi në FB.
Kur ke dy vjet e gjysmë në opozitë, pas dy mandatesh problematike në pushtet, logjika ta do qëobjektivi kryesor i një forcë serioze politike do të qe të rifitonte besueshmërinë në publik, së pari duke u distancuar nga e shkuara e saj e afërt në pushtet. Pra, e thënë me fjalë të tjera, do duhej që ajo tëpranonte e shprehte pendesë për mëkatet e gabimet qëe çuan në humbjet e rënda të dy zgjedhjeve e fundit. Duke nisur para së gjithash, nga marrja e përgjegjësisë politike (e duke u distancuar)për një sërë ngjarjesh të rënda për të cilat pjesa më e madhe e shqiptarëve fajësojnë qeverisjen e PD-së: duke nisur që nga Gërdeci, 21 janari, rruga Durrës-Kukës, abuzimet e shumta me koncesionet, përpjekjet flagrante për të kapur e kontrolluar çdo institucion, apo sulmet e egra kundër drejtësisë. Pa bërë këtë zor se mund të bëhesh i besueshëm, kur përdëllehesh në foltoren e Kuvendit, apo SHQUP-it, për pavarësinë e institucioneve, shtetin ligjor apo drejtësinë e pavarur.
Është pak e vështirë të hiqesh sikur je fanepsur vetëm dje në skenën politike, ndërkohë që të gjithë luftën politike e bazon në po të njëjtat taktika e strategji jo fort parimore që ke përdorur sa kohë ishe në pushtet: shpif të shpifim, baltë pafund e për gjithçka, ulërima e agresivitet, përpjekje të pandërprera për të krijuar tension e konflikt. Në fund të fundit, karakteri i një partie përcaktohet në një masë të madhe dhe nga “armët” e instrumentet që ajo përdor në luftën e saj politike. Dhe nëse ky arsenal jo vetëm nuk ndryshon, por madje pasurohet me shpikje të tilla shqetësuese, si Korpusi Rinor Azem Hajdari, realisht bëhet e pamundur të besosh se partia ka ndryshuar. Shumë shumë mund të pranosh që ka ndryshuar për keq.
Aq më tepër, është e vështirë të bëhesh i besueshëm në sytë e opinionit publik nëse përveç armëve, nuk ndryshon as fytyrat me të cilat identifikohet më së shumti aksioni politik. Duhet realisht një sforco e madhe imagjinative për ta parë PD e sotme si një forcë të re, në një kohë kur fytyra publike e kësaj partie vazhdojnë të jenë personazhe si Gent Strazimiri, Arben Ristani, Edi Paloka apo Sali Berisha. Sepse ka diçka thellësisht groteske kur dëgjon Arben Ristanin të flasë për institucione të pavarura apo Sali Berishën, kur përdëllehet për pavarësinë e sistemit të drejtësisë!
Është e kuptueshme që një forcë politike që s’ka shumë që ka dalë në opozitë pas tetë vjetësh në pushtet, të përpiqet të krijojë një fillim të ri, të shkëputet nga e shkuara e saj dhe të përpiqet të ndërtojë një alternativë të re. Por ajo që po përpiqet të bëjë PD është diçka krejt e ndryshme: në njërën anë po përpiqet të na bindë se nuk ka një të shkuar, në anën tjetër refuzon të heqë dorë nga e shkuara që pretendon se nuk e ka. Është një sjellje që do s’do të sjell ndërmend atë shprehjen e famshme të komedianit Groucho Marx për aktoren Doris Day, kur thoshte se i kujtohej dita kur Doris Day qe bërë e virgjër.