Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian Federica Mogherini ka folur pas takimit sot në Bruksel me delegacionin nga Kosova. Mogherini ka thënë se “duhet të krijohet një klimë që i kontribuon fqinjësisë së mirë, ku marrëveshjet e arritura në të kaluarën duhet të respektohen e implementohen dhe veprimet dhe deklaratat që nuk janë në pajtim me interesin e përgjithshëm dhe objektivat strategjikë për rajonin duhet të shmangen”.
Ndërsa Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e ka quajtur korrekte dhe profesionale punën e sotme në Bruksel. Sipas Thaçit njohja e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimi në Kombet e Bashkuara janë objektiv i Prishtinës. “E përgëzoj delegacionin shtetëror për dialogun, për prezantimin korrekt, unik dhe profesional në Bruksel, në kuadër të fazës përfundimtare të dialogut Kosovë-Serbi.
Njohja e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimi në Kombet e Bashkuara është objektivi ynë. Marrëveshja përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse në mes Kosovës dhe Serbisë do të sjellë më shumë paqe e stabilitet për vendet tona dhe për tërë rajonin”tha ai. Pala kosovare ishte e pranishme në takimin me Mogherinin, ndërsa Serbia ka vendosur bojkotimin e saj për shkak të taksës 100 % mbi mallrat e saj që hyjnë në Kosovë.
/shqiptarja.com/